Për nëntë muaj, në Klinikën Emergjente në QKUK, mbi 50 mijë persona kanë kërkuar trajtim shëndetësorë.
80 për qind e rasteve që kanë kërkuar trajtim nuk kanë qenë raste urgjente, por që ua kanë zënë hapësirën atyre që kanë urgjente.
Drejtori i Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, në një intervistë për Front Online, ka thënë se klinika vazhdon të jetë e mbipopulluar me pacient.
Ai ka thënë se si klinikë kanë 22 shtretër për qëndrim ditor, të cilët gjatë kohës së pandemisë, zakonisht kanë qenë me raste të tilla, jo urgjente, ndërsa rastet të cilat kanë qenë me më prioritet, është dashur të presin derisa të lirohen vendet.
Përndryshe, ai ka treguar se rastet urgjente që kërkojnë trajtim në këtë klinikë mund të presin mbi 10 minuta, rastet emergjente deri në 10 minuta, ndërsa rastet jo emergjente mund të presin 30 minuta deri në 1 orë
“Klinika Emergjente ka qenë e mbipopulluar me raste të cilat kanë kërkuar trajtim. Vetëm në këtë periudhë kohore janar, deri në fund të shtator, kanë kërkuar mbi 50 mijë raste trajtim, prej tyre 65 për qind i takojnë sëmundjeve aktive akute, 25 për qind gjendjeve aksidentale, ndërsa 5 për qind janë gjendje të cilat ndodhin të paqëllimta”, ka thënë ai për Front Online.
Drejtori i Emergjencës ka një thirrje për Qendrat e Mjeksisë Familjare
Lenjani ka treguar se për shkak të numrit të madh të rasteve që kërkojnë trajtim në klinikë, punëtorët shëndetësorë janë lodhur.
E për ngarkimin e tyre, ka ndikuar edhe vendimi për mbylljen e të gjithave ambulancave specialistike.
“Edhe stafi është i lodhur i rraskapitur nga numri i madh i rasteve të cilat kanë kërkuar shërbime emergjente, për shkak se me një vendim të qeverisë janë mbyllur të gjitha ambulancat specialistike dhe kjo ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të ngritët numri i tyre”, ka theksuar ai për Front Online.
Ai ka apeluar te Qendrat e Mjekësisë Familjare që t’i shfrytëzojnë kapacitetet profesionale dhe hapësinore, për të gjitha rastet që mund t’i menaxhojnë, ndërsa rastet tjera që janë më të rënda, t’i referojnë për në Klinikën Emergjente.
Lenjani ka treguar edhe për rastet për të cilat kërkohet më së shpeshti trajtim në klinikë.
“Rastet të cilat trajtohen për çdo ditë janë goditjet në tru, goditjet në zemër, sulmet epileptike, gjendjet aksidentale, lëndimet në punë në shtëpi, goditjet nga rryma, mbytjet në ujë. Janë këto gjendjet të cilat kërkojnë rastet më të shpeshta në Klinikën Emergjente”, ka shtuar ai për Front Online.
Emergjenca kërkon shtim kapacitetesh
Një nga problematikat më të mëdha për Klinikën Emergjente është edhe mungesa e hapësirës.
Për shkak të numrit të madh të pacientëve, është parë e nevojshme që të shtohen hapësirat për këtë klinikë.
“Po shpresojmë që Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK, do të fillojnë shumë shpejt në përgatitjen e kapaciteteve hapësinore, gjegjësisht për sëmundje dhe trauma, të mbështetur edhe për Covid, në Klinikën Emergjente e cila ka 20 mijë metra katror, e cila do të jetë një zgjidhje afatgjate për të gjithë të sëmurët të cilët kanë nevojë për shërbimin emergjent mjekësor”, ka thënë drejtori i kësaj klinike.
Lenjani ka treguar që projekti për zgjerimin e hapësirës kishte filluar në vitin 2007, por që ende nuk është zgjidhur ky problem.
32 punëtorë shëndetësorë në Emergjencë të infektuar me Covid-19
Përndryshe, për shkak të kontaktit me pacient, edhe një pjesë e stafit shëndetësorë, kanë rezultuar pozitiv me Virusin Korona.
Drejtori Lenjani, ka bërë të ditur se Klinika Emergjente radhitet e dyta pas Klinikës Infektive me më së shumti staf shëndetësor të infektuar.
“Klinika Emergjente renditet në vendin e dytë pas Klinikës Infektive me numër më të madh të infektuarve, prej tyre kemi 32 punëtorë të prekur, mbi 70 për qind janë infermier dhe 30 për qind janë mjekë”, ka thënë ai.
Megjithatë, Klinika Emergjente është mbështetur me mjek nga klinikat tjera, edhe pse Lenjani ka treguar se sfidë vazhdon të mbetet mungesa e infermierëve./Front Online/