Mbi shtatë mijë fëmijë nga 16 komuna të Kosovës kanë shënuar sot 23 Qershorin – Ditën Olimpike 2021.
Aktivitetet kryesore u mbajtën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku fëmijët zhvilluan vrapim 60 metërsh, ndërsa në orët e pasdites fëmijë tjerë zhvilluan disiplina të ndryshme të atletikës.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, në fjalën e tij, ka folur për rëndësinë që ka Dita Olimpike, derisa ka kërkuar nga arsimtarët dhe prindërit që t’i inkurajojnë fëmijët për t’u marrë me sport dhe të inspirohen nga heroina jonë, Majlinda Kelmendi dhe sportistë tjerë të cilët do të përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe zëvendës ministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani, e cila bëri thirrje tek fëmijët që të merren me sport, përmes aktiviteteve të ndryshme, sepse sporti ndikon pozitivisht edhe në shëndetin e tyre, ndërsa për rëndësinë e kësaj dite foli edhe Halil Sylejmani, kryetar i Komisionit për “Ditën Olimpike”, njëherit kryetar i Federatës Atletike të Kosovës.
Për shkak të pandemisë Covid 19, në Prishtinë, por edhe në disa komuna tjera, organizimi u bë në pjesë të ndryshme. Gjithësej 24 shkolla të Prishtinës me 2261 nxënës festuan këtë ditë edhe në stadiumet e Ramiz Sadikut, Flamurtarit, 2 Korrikut dhe Rilindjes, organizim që u bë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Krasniqi bashkë me anëtaren e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Vjollca Krasniqi, ishin edhe në stadiumin e Rilindjes, ku panë nga afër qindra fëmijë të cilët krijonin atmosferë mbresëlënëse gjatë vrapimit dhe bërjes tifo për shokët e tyre.
Krahas Prishtinës, komunat tjera që shënuan Ditën Olimpike ishin Gjakova, Podujeva, Mitrovica, Ferizaj, Vushtrria, Skënderaj, Obiliqi, Kaçaniku, Drenasi, Hani i Elezit, Rahoveci, Istogu, Fushë Kosova, Malisheva dhe Dragashi.
Komunat e organizuan kryesisht nëpër sheshet e tyre, ndërsa disa prej tyre kishin ndarë fëmijët edhe nëpër shkolla. Të pranishëm krahas fëmijëve dhe arsimtarëve, ishin edhe kryetarët e komunave dhe drejtuesit e drejtorive për sport.
Në të gjitha komunat, fëmijëve u janë dhuruar fanella dhe medalje, ndërsa janë zgjedhur edhe më të mirët sipas komunave.
Krahas këtyre aktivitetete, qindra studentë të Kolegjit AAB kishin organizuar ecjen për në Majën e Lubotenit, në shenjë të shënimit të Ditës Olimpike.
Java Olimpike 2021 ka nisur më 21 qershor dhe do të mbarojë më 25 qershor./FrontOnline/