Ekipet vlerësuese të dëmeve në kudër të drejtorisë për Emergjencë në Komunën e Lipjanit kanë arritur në fazën finale për vlerësim e dëmeve nga vërshimet e fundit që kanë ndodhur para pak ditësh.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se ende janë duke pranuar kërkesa për vlerësim të dëmeve nga qytetarët, të cilat po shqyrtohen me intensitet të shtuar, sipas tyre.
Vërshimet kanë shkaktuar dëme në vlerë mbi një milion eurosh, kryesisht në ekonomi familjare, në infrastrukturë rrugore dhe në parcela bujqësore.
Nazim Gashi, drejtor për Emergjencë në Komunën e Ferizajt ka thënë për KOHËN se janë në përmbyllje të raportit përfundimtar, megjithëse ende po pranojnë kërkesa nga qytetarët për vlerësim të dëmeve.
“Vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në territorin e komunës sonë, pra kryesisht në fshatin Konjuh përgjatë lumit Janjevka ka pasur mjaftë dëme të mëdha në ekonomi familjare. Po ashtu dëme të tilla janë shkaktuar edhe në fshatrat Banullë, Gllogoc dhe Ruboc. E gjithë dëmi është mbi një milion euro, ndërkaq në mesin e tyre 622 mijë euro kemi dëme në infrastrukturë rrugore, trotuare, ndriçim publik, shtretër të lumenjve etj”, ka thënë Gashi .
Sipas tij, ekipet vlerësuese kanë bërë përllogaritjen e dëmeve deri në detaje për çdo gjë që është dëmtuar.
“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, t’i mbështesë qytetarët e Komunës së Lipjanit sepse dhjetëra familje kanë pësuar dëme mjaftë të mëdha në ekonomi familjare të cilat janë të papërballueshme për komunën”, ka thënë Gashi.