Pandemia e koronavirusit ka filluar me 13 mars në Kosovë.
E kjo ka bërë që këtë vit importi i maskave, dorëzave dhe dezinfektueseve, në vend të jetë më i lartë se asnjëherë më parë, shkruan Front Online.
Situatën e kanë shfrytëzuar mirë kompanitë farmaceutike. Ato gjatë 2020-s kanë importuar produkte të tilla në Kosovë në vlerë të mbi 7 milionë eurove.
Kështu kanë bërë të ditur në një përgjigjie për Front Online nga Dogana e Kosovës.
Kërkesa për këto mjete u rrit qëkur institutcionet botërore e vendore të Shëndetësisë i vlerësuan ato si të vetmet masa që mund ta parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
Importi i tyre siç shihet në pasqyrën të cilën e posedon portali “Front Online” u bë nga mbi 25 vende, përfshirë dy superfuqitë ekonomike Kinën dhe Turqinë, shtete këto prej të cilave Kosova furnizohet vazhdimisht edhe me gjësënde tjera, tekstil e pajisje teknologjike.
Maska, mjeti anti-Covid19 më i importuar nga jashtë
Pjesa më e madhe e shumës prej mbi 7 milionë të importit ka shkuar për maskat. Për “mbulesën” që vihet para gojës u harxhuan 3.2 milionë euro. Më pas, mbi 2.7 milionë, për dorëzat. Të tilla që erdhën prej jashtë ishin mbi 39 milionë copa. E për dezinfektantë u shprenzuan më pak. Importi i këtij “lëngun” që shërben për pastrimin e duarve ishte në vlerë të 1.1 milionë eurove. Në Kosovë sasia e “derdhur” e dezinfektantëve ishte 317 mijë e 285 litra. Mesatarja e një litri dezinfektant i bie të jetë 3.5 euro marrë për bazë çmimin e përgjithshëm.
Front Online më herët kishte raportuar për çmimet astronomike me të cilat institutcionet i blenin këto pajisje anti-pandemike.
Komuna e Deçanit një dezinfektues për duar 50 mililitër përmes një procesi të Prokurimit e ka blerë për 4 euro – baras me çmimin më pakicë të një dezinfektuesi 500 mililitër që është 9 herë më i madh.
I ngjashëm është rasti edhe në një komunë tjetër të Rrafshit të Dukagjinit.
Në Gjakovë, kryetari Ardian Gjini, nënshkroi këtë muaj kontratë për blerjen një dezinfektuesi gjysmë litërsh për duar në vlerë prej 5 euro, ndonëse çmimi i të njëjtit produkt në tregun me pakicë është për gjysmë më lirë apo rreth 2.5 euro, shkruan Front Online.
Këso “masakre” me çmime ndodhën edhe në instanca më të larta.
Bëhet fjalë për blerjen e maskave dhe dorëzave nga Ministria e Shëndetësisë në kohën e Arben Vitisë.
Sipas tenderit të ndarë në 5 lote me vlerë të përgjithshme prej mbi 273 mijë euro, kompania “Komed” kishte për obligim për një afat 3 mujor ta furnizojë Ministrinë e Shëndetësisë me rreth 133 mijë maska kirurgjikale të prodhuara në Kinë me çmim prej 56 cent për copë. Në të njëjtin tender Ministria kishte blerë 52 cent një palë dorëza, derisa çmimi i tyre në barnatore me pakicë ishte 25 cent, atë kohë.
Turqia, furnizuesi më i madh për dezinfektantë
Kosova importoi dezinfektantë nga 27 vende të ndryshme të botës, shkruan Front Online.
Më së shumti morën prej Turqisë. Për 80 mijë litra sosh paguan 279 mijë euro. Shteti turk në bazë të pasyrës me të dhëna nga Dogana është furnizuesi më i madh në këtë aspekt.
E dyta është Gjermania, e cila eksportoi rreth 50 mijë litra, çmimi i të cilave kapë shifrën e afro 200 mijë eurove.
Nga xhepi i kosovarëve afër 170 mijë sosh shkuan në arkat e kinezëve për 71 mijë litra sa ata sollën në Kosovë.
Mbi gjysma e dorëzave në Kosovë prej Malajzie
Kosova e zgjeroi hartën e vendeve prej ku importon dorëza. Ato i mori nga 35 shtete.
Mbi gjysma e dorëzave, rreth 26 milionë, u importuan nga Malajzia.
Pjesa tjetër e kontigjentit u “zbarkua” nga vende tjera. India i solli 6.6 milionë, Kina 2.5 milionë e të tjerat më pak, shkruan Front Online.