×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Mbi 300 milionë € remitenca nga SHBA-të në Kosovë për një dekadë

    FrontOnline
    03 Qershor 2024

    Mbi 302 milionë euro kanë arritur dërgesat financiare të diasporës kosovare nga SHBA-të gjatë dekadës së fundit, saktësisht nga viti 2013 deri në vitin 2023, raporton Front Online.

    Këto statistika, të cilat i ka publikuar Banka Qendrore e Kosovës (BQK), dëshmojnë që remitencat nga diaspora janë një infuzion i rëndësishëm financiar për ekonominë e vendit.

    Përndryshe, vitin e kaluar shuma e përgjithshme e remitencave e dërguar nga diaspora arrinë vlerën prej 1.3 milionë euro, ku me dërgesa financiare prinë Gjermania dhe Zvicra.

    Sipas statistikave të BQK-së, gjatë vitit 2023 remitencat nga SHBA-të kanë qenë 29.3 milionë euro, apo për 4.5 milionë euro më pak se në vitin 2022.

    Ish-guvernatori i BQK-së: Remitencat sa 1/3 e buxhetit vjetor të Kosovës

    Remitencat i ka konsideruar shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik në Kosovë, ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

    Ai deklaron se një pjesë e qytetarëve të Kosovcës varen nga të ardhurat e diasporës.

    “Remitencat janë të ardhurat që diaspora i sjellin në Kosovë. Remitencat kanë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sepse një pjesë e konsiderueshme e popullsisë varen nga to”, u shpreh Mehmeti për Front Online.

    Rreth gjysmë miliardë € investime amerikane në Kosovë, vitin e kaluar morën tatëpjetën

    Mehmeti ka kërkuar që të ketë bashkëpunim më të mirë të Kosovës me shtetet që kanë numër të lartë të kosovarëve.

    Një strategji e Qeverisë mund t’i orientojë bashkatdhetarët kah investimet, thotë Mehmeti.

    “Është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim më të ngushtë me shërbimin diplomatik të Kosovës në shtetet me prezencë të lartë të diasporës kosovare, siç janë Amerika, Austria, Gjermania dhe Zvicra. Sigurisht që investimet e diasporës lidhen edhe me klimën e përgjithshme të të bërit biznes në Kosovë, si dhe defektet në sundim të ligjit. Zhvillimi i një strategjie nga Qeveria e Kosovës mund t’i stimulojë ata t’i orientojnë kah investimet dhe jo vetëm për konsum ditor”, ka deklaruar Mehmeti.

    Remitencat sjellin efekte pozitive në ekonominë e vendit, vlerëson Mehmeti.

    Ai tregon se nga 3.2 miliardë sa ishte buxheti i shtetit gjatë 2023-tes, 1 miliardë ishte vetëm nga diaspora.

    “Në vitin 2023, Kosova pranon mbi €1 miliard euro dërgesa financiare. Ndërsa, buxheti i shtetit për vitin 2023 është rreth €3.2 miliardë. Efektet pozitive te remitencave janë evidente në Kosovë, veçanërisht gjatë sezonit të verës kur numër i madh mërgimtarësh vizitojnë Kosovën, gjë që përkthehet në vëllim më të madh shitjesh për bizneset”.

    Ish-Guvernatori i BQK-së, ka përmendur një problem serioz që sipas tij, remitencat ndikohen nga tregjet ndërkombëtare.

    “Fakti është se remitencat ndikohen nga tregjet ndërkombëtare, meqë diaspora që i fiton ato jeton kryesisht në vendet perëndimore. Kur tregjet perëndimore goditen në bursa, atëherë përjetimi është i menjëhershëm në ekonominë lokale, sepse remitencat pësojnë ulje”, thotë Mehmeti.

    Çka importon Kosova nga SHBA-të? Mbi 500 milionë € importe për një dekadë, kërkohet rritja e vëllimit tregtar

    Rexhepi nga shoqata “Miqtë e Amerikës”: Institucionet nuk kanë arritur t’i joshin bashkatdhetarët që të investojnë më shumë në Kosovë

    Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka treguar arsyen që sipas tij, kanë rënë remitencat nga SHBA  në Kosovë.

    Rexhepi thotë se pjesërisht fajin e ka Qeveria.

    Arsyeja e rënieve të remitencava ka ndodhë sipas Rexhepit, për shkak të krizës ekonomike në aspekt global.

    Produktet kosovare po e humbin tregun amerikan, vitin e kaluar eksportet ranë për 30%

    “Arsyeja e mos dërgimit aq sa kanë dërguar diaspora në të kaluarën është se ka pasur krizë në aspekt global, pas pandemisë ka pas probleme jo vetëm në SHBA por edhe në Evropë se ka pasur një remie të punësimeve. Bashkatdhetarët tanë kanë filluar të investojnë shumë në SHBA dhe shtetet tjera, institucionet tona nuk kanë arritur t’i joshin sa duhet bashkatdhetarët tanë që të investojnë më shumë në Kosovë”, vlerëson Rexhepi për Front Online.

    Remitencat e diasporës pas pavarësisë, mbi 12 miliardë euro

    Nga viti 2008 kur edhe Kosova e shpalli pavarësinë e saj deri në vitin 2023, diaspora nga të gjitha vendet ka dërguar hiç më pak se 12 miliardë e 450.6  milionë euro në Kosovë.

    Nga 12 miliardë e 450.6 milionë të dërguara, nëpërmjet bankave në Kosovë erdhën 1 miliard  e 186.7 milionë euro, 6 miliardë 218.3 milionë euro erdhën nëpërmjet agjencive për transfere dhe 4 miliardë e 45.5 milionë euro të tjera përmes kanaleve tjera të dërgimit.

    Vlerë më e lartë e mjeteve u regjistrua në vitin 2023 me 1 miliard e 343.4 milionë euro  ndërsa në vitin 2011 evidentohet vlera më e ulët e dërgesave me 492.5 milionë euro.

    Remitencat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë

    2023                29.3   mil.€

    2022                33.8     mil.€

    2021                28.9 mil.€

    2020                25.6 mil.€

    2019                28.2 mil.€

    2018                27.0 mil.€

    2017                27.8  mil.€  

    2016                27.4 mil.€

    2015                32.1 mil.€

    2014                24.9 mil.€

    2013                17.4     mil.€

    Total: 302.4 milionë euro

    * Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Rrini gati – Festivali Sunny Hill zbulon sonte të gjithë artistët
    Nga Rubrika
    Lajme17 Maj 2025
    Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari pas tentativës së 17-të për konstituim të Kuvendit ka deklaruar se ka konsultuar me partitë...
    Kronika17 Maj 2025
    Një aksident trafiku ka ndodhur sot në Drenas mes një veture dhe trenit. Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti...
    Lajme17 Maj 2025
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar dëshmorin Mentor Tolaj në 26-vjetorin e vrasjes së tij. Haradinaj thotë se Tolaj dallohej nga...
    Të tjera
    Lajme17 Maj 2025
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folir pasi ka dështuar për të 17-tën herë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë të...
    Lajme17 Maj 2025
    Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, ka thënë se situata në të cilën fgjendet vendit, është tejet e pakëndshme dhe në dëm...
    Lajme17 Maj 2025
    As sot, për të 17-tën herë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta bëjnë konstituimin e Kuvendit. Kësisoj, vendi vazhdon të...
    Lajme17 Maj 2025
    Ka nisur edhe tentativa e 17-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ka ftuar në konsultim...
    Lajme17 Maj 2025
    Deputetja Emilia Rexhepi, ka postuar një foto në profilin e saj në Facebook, ku shihet bashkë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin...
    Lajme17 Maj 2025
    Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se sot Grupi Multietnik u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për të diskutuar rreth...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.