Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka dhënë disa sqarime rreth ndryshimit të ueb-faqes që ua mundëson qytetarëve tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve.
Fondi i Kursimeve Pensionale thotë se kanë ndryshuar ueb-faqen për të parandaluar sulmet kibernetike.
“Të nderuar kontribuues dhe qytetarë, kemi paralajmëruar hapjen e aplikimeve sot në ora 15:00. Departamenti i Teknologjisë së Informacionit ka ngritur dyshime për sigurinë e uebfaqes, duke llogaritur edhe fluksin tejet të lartë të aplikuesve. Për të parandaluar çfarëdo risku, vendosëm ta ndërrojmë adresën e shërbimit. Shumë shpejt kemi arritur që të gjejmë zgjidhje me një adresë të re, të cilën e kemi promovuar dhe ku aplikimi ka vazhduar me rreth gjysmë ore me vonesë”, thuhet në njoftim.
Fondi i Kursimeve Pensionale thotë se prej kalimit në adresën e re, janë mbi 120 mijë aplikime të përfunduara me sukses brenda tri orësh e gjysmë.
“Nuk kemi pretenduar se gjithçka mund të parashikohej por veprimi i marrë sot kishte të vetmin qëllim: sigurinë e kontribuuesve. Duam të falënderojmë Agjencinë së Shoqërisë Informative (ASHI), e cila na dha ndihmë në këtë proces”, vijon njoftimi.
Qytetarët mund të aplikojnë në këtë link: https://bentenapp.azurewebsites.net/
https://www.facebook.com/TrustiPensional/posts/3608505675903099