Kuvendi i Kosovës sot me fillim në orën 10:00, do mbajë seancën konstituive të legjislaturës së tetë.
Sipas agjendës, fillimisht do të formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ndërkohë, gjatë kohëzgjatjes së seancës, mediat mund të qëndrojnë në ballkonin e sallës plenare, konform Rregullores për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit.
Po ashtu, Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë si parti e parë nga zgjedhjet e 14 shkurtit në koalicionin që kanë pasur me Listën “GUXO” të Vjosa Osmanit.
Rrjedhimisht, të njejtëve iu takon që të propozojnë edhe personin që do ta udhëheqë Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e re.
Deri më tani është bërë e ditur se në këtë pozitë do të propozohet Glauk Konjufca.