Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherit ish-deputet në Parlamentin e Maqedonisë, Ruzhdi Matoshi në ‘Frontal’ të T7, foli për aktualitetin në politikë.
Matoshi tha se koncepti perëndimor e sheh Kosovën miniaturë.
“Gjithmonë vijnë sikur i kontrollojnë një grup të vogël, se me këta do të kryejmë punë shpejt, por këtu gërshetohen probleme më të thella, vënia e drejtësisë në vend. Ne nuk e kemi luftuar popullin serb, por strukturën ushtarake serbe, në këtë pikë duhet të marrin qëndrime të forta, për arsye se procesi do qëndrime të forta”, potencoi Matoshi.
Ai gjithashtu përmendi se Kosova ka lëshuar shumë nga Pakoja e Ahtisaarit dhe se komunat serbe janë në rritje.
“Kosova është model për dhënien fuqi pushtetit lokal. 365 ditë kalojnë nuk kemi asnjë raport të domenit të shkeljes se të drejtave të njeriut, se iu kemi bërë të padrejtë. Këto janë qëndrime të fuqishme”, tha ai duke shtuar se aspiratat e Vuçiq-it dhe Daçiq-it janë për ta minuar Kosovën dhe shpresojnë se Rusia do t’i mundësojë një pozicion në Ballkan.
Matoshi theksoi se nuk sheh figurë që mund t’iu rrijë këtyre çështjeve ballë, duke përmendur Enver Hoxhajn, Avdullah Hotin dhe Vjosa Osmanin.
“Kurti është i pozicinuar te kryeministri dhe nuk agjiton për president. Interesi i qytetarëve është që partitë të kenë dialog, të ulen për tema dhe agjendë politike. Haradinaj në konceptin e tij politik dialogun e ka armë dhe dialogon me të gjithë. Edhe kur e shpalli kandidaturën për president ai ishte shumë komunikativ me të gjitha partitë politike. Për t’iu treguar një platformë. Kosovës momentalisht për hir të qytetarëve, ne duhet të kanalizojmë veprimin politik në dialogim”, deklaroi ai në ‘Frontal’.
Matoshi më tej tha se Kosova ka shumë që asociimi i ka mbyllur, por stabilizimi është instumenti i dialogut që partitë të krijojnë një agjendë politike.
“Kosovën e pret rrugë të vështirë në integrime. Kosova do të këtë probleme të qarta në këtë drejtim, për shumë elemente të natyrave banale do të ketë pengesa për integrim. Duhet të vijnë fonde të tjera, që do të ndikojnë në mirëqenie, që Kosova të marrë pamjen e një shteti funksional i orientuar drejt BE-së”, tha Matoshi.
Matoshi u shpreh se nese Serbia do të jetë anëtare e BE-së, Kosovës mund të ia bëjë si Maqedonisë qe po ia bën Bullgaria.
“Këtë e apostrofoj për kandidaturën e Haradinajt për president, është imediate, vetëm e vetëm që e ka instrumentin e dialogimit. Te NATO ndoshta s’mund të na pengojë, por për në BE, Serbia mund të na pengojë”, përfundoi ai.