Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, ka folur sot për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjen që do të çonte të gjithë rajonin përpara drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Mass në një bashkëbisedim më përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, ka thënë fqinjësia e mirë është shtylla kurrizore e bashkëpunimit rajonal.
Ai ka thënë se duhet lënë të qeta fantazmat e së kaluarës pasi sipas tij ato po e bllokojnë rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt të ardhmes.
Kryediplomati gjerman ka thënë se zgjidhja për Kosovën dhe Serbinë është vonuar, dhe për këtë arsye ka lavdëruar punën e Lajcak që ka rinisur dialogun e ndërmjetësuar nga BE’ja.
Sipas tij, për Kosovën dhe Serbinë s’ka alternativë tjetër përveç dialogut dhe një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe thotë se për të arritur një gjë të tillë duhet një udhëheqje e fortë politike.
“Kjo vlen në mënyrë të veçantë për Kosovën dhe Serbinë. Zgjidhja është e vonuar. Ndaj jam shumë mirënjohës që Miroslav Lajcak rinisi në korrik dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Dhe unë ndaj plotësisht këndvështrimin e tij, se nuk ka asnjë alternativë tjetër veç një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese.
Një hap i tillë kërkon udhëheqje të fortë politike. Dhe unë kam besim se udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë do ta dëshmojnë këtë – duke u angazhuar në mënyrë konstruktive kundrejt njëri-tjetrit, dhe duke shtruar kësisoj rrugën drejt një epoke të re”, ka potencuar Mass.
“Sa më shpejt të filloni, aq më mirë do të jetë për stabilitetin në të gjithë rajonin. Dhe aq më shpejt do të zhbllokoni perspektivat e Kosovës dhe Serbisë për në BE”, ka shtuar Mass.
Ai një fjalën e tij ka folur edhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë, teksa ka përmendur Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe.
Mass ka thënë se në Bashkim Evropian s’ka vend për shtetet të cilat mohojnë krimet e luftës dhe që lartësojnë kriminelët e luftës.
“E njëjta gjë vlen për Bosnjën dhe Hercegovinën. Ky vit shënon përvjetorin e 25-të të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Por ende, edhe sot, vendi vazhdon të jetë politikisht i ndarë në linja etnike. Në një vend që dëshiron të bashkohet me BE-në, thjesht nuk ka vend për agjitacion të natyrës nacionaliste, për mohimin e krimeve të luftës ose glorifikimin e kriminelëve të luftës”, ka thënë ndër të tjera Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë.