
Edhe pse në korrik të këtij viti, Këshilli Shtetëror i Cilësisë kishte vendosur që të mos rrisë numrin e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në UP, duke e hedhur poshtë vendimin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ky i fundit insiston në zbatimin e vendimit të tij nga Universiteti i Prishtinës.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi sot ka takuar anëtarin e Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, prorektorët Hysen Bytyqi dhe Merita Koçnaj- Berisha, si dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka për të biseduar rreth rritjes së numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.
Në njoftimin e MAShT-it, thuhet se u bisedua rreth situatës së krijuar në të cilën nuk po zbatohet vendimi i kësaj të fundit për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, për vitin e ri akademik 2019/2020.
“Ministri Bytyqi tha se UP, përkatësisht Fakulteti i Mjekësisë, duhet që sa më parë të implementojnë vendimin e MAShT-it lidhur me rritjen e numrit të studentëve të rinj në dy drejtime të këtij fakulteti. Ai, po ashtu tha se, vendimi për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, përkatësisht drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri, është marrë në bazë të kërkesës së UP-së”, thuhet në njoftim.
Sipas ministrit Bytyqi, një vendim i tillë është marrë në bazë të kompetencave ligjore që ka Ministria, por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e konsideruar si politikë arsimore me interes nacional, andaj edhe përfaqësuesit e UP-së shprehën gatishmërinë për respektimin e vendimit të MAShT-it.