Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka organizuar sot ceremoninë e pranim-dorëzimit të 215 tabletave për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, donacion nga Misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE).
Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Agim Berdyna dhe përfaqësuesit e Drejtorive Komunale të Arsimit të shtatë komunave përfituese të këtij donacioni nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila kishte për qëllim realizmin e shpërndarjes, përdorimit të duhur dhe mirëmbajtjes së tabletëve.
“Qëllimi i dhënies së tabletëve është avancimi i cilësisë së mësimnxënies dhe përmirësimi i kushteve të mësimit për nxënësit e komuniteteve dhe për përmirësimin e zbatimit të mësimit online në shkollat e Kosovës. Donacioni nga OSBE është dhënë me qëllim që 2/3 e tabletëve për secilën komunë të ndahen për komunitetet jo shumicë, ndërsa pjesa tjetër për komunitetin shqiptar”, thuhet në njoftimin e MASH-it.
MASh në bashkëpunim me OSBE-në kanë përcaktuar komunat dhe numrin e nxënësve përfitues, pra Ferizaji – 30 tabletë, Dragashi- 30 tabletë, Gjakova- 35 tabletë, Deçani – 30 tabletë, Peja – 30 tabletë, Obiliqi-30 tabletë dhe Fushë Kosova- 30 tabletë.