Kosova na e premtja pritet që të vë në fuqi masat e reja anti-Covid. Megjithëkëtë, kosovarët nesër do ta mësojnë planin konkret të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë rreth këtyre masave që parashihet që të vihen në fuqi pas tre ditësh, raporton Express.
E ky vendim u mor nga Hoti pas takimit që pati me ministrat e Qeverisë që ai e drejton.
E Qeveria ka filluar punën me planin e ri që nga dje (e hënë), kur Ministria e Shëndetësisë ka dërguar propozimet.
Komunat e Kosovës, sipas këtij propozimi të Ministrisë së Shëndetësisë, do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër, e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Propozimi i zyrtarëve të kësaj ministrie ka ardhur pas rritjes së numrit të rasteve të prekura me këtë virus në baza ditore në Kosovë.
Vetëm të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar 596 të infektuar me 5 viktima me këtë virus.
Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë numri total i rasteve pozitive është 25.388 raste nga 110.041 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 773 raste të vdekjes.