Në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese për mbrojtje nga koronavirusi e që kryesisht kanë të bëjnë me transportin publik, punën e objekteve të gastronomisë dhe administratën publike.
Vendimi i qeverisë parasheh që të gjitha lokalet dhe restorantet të punojnë deri në orën 23:00, transporti publik ta reduktojë në 50 për qind kapacitetin e pasagjerëve, ndërsa institucionet shtetërore dhe publike ta organizojnë punën e të punësuarve me turne, rotacion ose edhe punë nga shtëpia.
Qeveria ka lënë në fuqi edhe masën për mbajtjen e aktiviteteve sportive pa praninë e shikuesve.
Ndërkohë, nuk ka ende marrëveshje mes partive për masat e tjera që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskës në ambiente të hapura, ndalimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, si dhe ndalimin e vizitave të më shumë personave nëpër familje.
Këto masa nuk mund të miratohen pa mbështjen e opozitës, meqë shumica parlamentare nuk i ka votat e mjaftueshme.
VMRO-DPMNE-ja opozitare ka thënë se qëndrimin e saj do ta kumtojë pas shqyrtimit të masave dhe nevojës për miratimin e tyre.
Ajo, ndërkohë, ka kërkuar shkarkimin e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe zëvendësimin e tij me një komision prej 11 anëtarësh, të përbërë nga ministri i Shëndetësisë, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, infektologë, epidemiologë, imunologë dhe specialistë të sëmundjeve të brendshme.
Maqedonia e Veriu, të martën, ka regjistruar 406 raste të reja me koronavirus, katër viktima dhe 280 të shëruar.
Numri i rasteve të reja atje është në rritje sikurse në pjesën më të madhe të Evropës. /REL