Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka kujtuar dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në 146-vjetorin e kësaj çështje.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se kujton rezistencën, sakrificën dhe vuajtjet e popullatës shqiptare te 720 fshatrave te boshatisura.
“Me qindra mijëra qytetarë të Kosovës, sot mbajnë mbiemrat e fshatrave prej nga janë dëbuar paraardhësit tanë, si formë e veçantë e memories kolektive. Ndër këto fshatra ishte dhe fshati Maqedonc i rajonit te Jabllanices se Gollakut (Sanxhaku i Nishit). Fshati Maqedonc ishte i banuar tërësisht nga popullata shqiptare, kryesisht të fisit Krasniqi”.
“Rezistenca e armatosur e rreth 200 kryengritësve shqiptar kundër njësive ushtarake serbe te divizionit të Danubit në dhe për rreth fshatit Maqedonc u pasua nga dhuna ç’njerezore e divizioneve ushtarake serbe mbi popullatën shqiptare”, ka shkruar Maqedonci.
Tutje, ai ka shtuar se kjo rezistencë e armatosur e viteve 1877/1878 e shtrirë nga regjioni i Toplicës dhe deri në regjionin e Jabllanicës (rrethina e Leskovcit dhe Medvegjës) ishte e rëndësisë së madhe strategjike për pengimin dhe vonimin e Divizionit të Danubit që kishte synim vazhdimin e dëbimit të banorëve të të gjitha vendbanimeve të vilajetit të Kosovës.
Gjatë luftimeve në fshatin Maqedonc u vranë 37 ushtarë serb dhe 25 kryengritës shqiptar (të dhënat për këto luftime gjenden në Arkivin e Shkupit AHT-2 faqet nga 102 deri 120).