Shtabi emergjent komunal në Malishevë, nën drejtimin e nënkryetarit të komunës, Hajdin Berisha, sot pas publikimit të rezultateve të fundit, e ka mbajtur takimin e rregullt ku është bërë vlerësimi situatës aktuale pandemike, ku është konstatuar se situata është në kontroll dhe e menaxhueshme.
Në këtë takim, shtabi emergjent kërkoi nga inspektorati komunal, që të zbatoj masat më të ashpra për ata që pas shumë vërejtjeve, nuk i zbatojnë vendimet për mbrojtje nga Covid-19, si dhe u tha se inspektimi do të jetë edhe më i shumtë gjatë 24 orëve në ditë.
Përndryshe në këtë takim të radhës, të gjithë anëtarët e shtabit, varësisht nga institucionet që përfaqësojnë, kanë raportuar për gjendjen në sektorët e tyre, ku u tha se të gjitha shkollat po punojnë sipas planit A, përjashtuar gjimnazin që punon me planin B, ndërsa edhe në shëndetësi, përkundër rritjes së numrit të pacientëve, të gjitha shërbimet janë duke u kryer pa probleme.
Sa i përket ditës së sotme, nënkryetari Hajdin Berisha, ka bërë të ditur se bazuar në raportet nga IKSHPK dhe kontakti në terren, sot janë regjistruar 9 raste me Covid-19, dhe ato raste vijnë nga këto vendbanime: 2 raste në Bubavec, 2 në Mleqan, 2 në Bellanicë, dhe nag 1 rast në Banjë, Astrazup dhe Drenoc.
Gjendja e përgjithshme me covid-19 në Komunën e Malishevës, nga data 14 mars e deri më sot është kjo: gjithsejtë të prekur me covid-19 janë 332 persona, prej tyre 253 janë shëruar , 25 kanë vdekur dhe aktiv me covid-19 janë 54 persona.