Evropa duhet të rimendojë për kufijtë e hapur në zonën schengen, përfshirë një mbrojtje më të fuqishme të kufijve të jashtëm të saj, ka thënë presidenti francez Emmanuel Macron të enjten.
“Jam në favor të një kontrolli më të rreptë në schengen për të rimenduar organizimin dhe fuqizimin e kufijve tanë me forca kufitare”, tha ai gjatë një vizitë në kufirin mes Francës dhe Spanjës.
Macroni tha se do të prezantojë disa propozime partnerëve të Bashkimit Evropian në një samit në dhjetor, raporton Reuters.
Franca do të marrë mbështetje para atij samiti dhe shpreson se Gjermania do të jetë nga ato, ka thënë një zyrtar i qeverisë, derisa nuk ka mohuar edhe mbështetjen e Austrisë.
Evropa është goditur nga dy sulme në javët e fundit që përfshinë vrasës të cilët kishin lëvizur lirshëm në shtetet anëtare të zonës schengen.
Më 29 tetor një burrë ka vrarë tre njerëz në një kishë në Nicë. Brahim Aouissaoui kishte arritur në Itali, pesë javë më parë. Pastaj ai kishte udhëtuar në Francë me tren para se të niste sulmin.
Xhihadisti që vrau katër njerëz në Vienë të hënën, udhëtoi nga Sllovakia në korrik në tentim për të blerë municion.
Macroni tha se sulmet e fundit ishin paralajmërim për Evropën se “rreziku i terroristëve është çdokund”.