Lëvizja Vetëvendosje ka uruar qytetarët e Komunës së Podujevës për fitoren në Llap.
Në një postim në Facebook, LVV thotë se kjo fitore është ndryshim i madh për Podujevën e fillimi i ndryshimit në të gjithë Kosovën.
“Lëvizja i uron gjithë qytetarët e Llapit për këtë fitore plebishitare, me të cilën ata treguan besimin për kryetarin e ndryshimit, Shpejtim Bulliqin. Me të parën, pa hezim e pa frikë, me zemrat zjarr e sytë gjithë shpresë, masivisht, qytetarët e deshën ndryshimin dhe ia zbardhën faqen komunës së tyre. Lëvizja dhe Shpejtim Bulliqi janë gati për detyrën e besimin që votuesi na dha. Shumë punë na presin e prej nesër jemi në shërbimin e secilit qytetar, pa dallim partie e prejardhjeje”, thotë kjo parti.
Më tutje thekson se nga tani e tutje, të gjitha problemet e qytetarëve do të kenë adresë.
Zyrtare: KQZ shpall rezultatet preliminare – Shpejtim Bulliqi i LVV-së fiton pa balotazh
“Nuk do të lëmë qytetar pa përgjigje, as problem pa e adresuar. Do të jemi kudo ku do të thirremi e kudo ku do të ketë nevojë për ne. Vështirësitë e pandemisë do t’i përballojmë sëbashku. Nuk do t’ju lëmë vetëm. Do t’i sigurojmë barnat dhe ambulancat, menaxhimin e shkollave e qendrave të mjekësisë familjare, përkujdesjen për nxënësit e të infektuarit. Mjekët e infermierët do të na kenë me vete, mësimdhënësit do të na kenë krah e gratë do të jenë pjesë e jona”.
“Ju qytetarë të komunës së Podujevës keni dhënë një mesazh të madh e i keni bërë një thirrje të fuqishme të gjithë Kosovës për rrugën që duhet të ndjekin e guximin që duhet të kenë. Na keni gëzuar shumë. Na e keni bërë zemrën mal. Jehona e kumbimit tuaj ndihet në të gjithë Kosovën”, thekesohet tutje.
Më tej thonë se këto zgjedhje treguan se është shumë e mundshme të organizohen votime gjatë pandemisë, edhe në Kosovë, si në vendet e tjera.
“Populli po kërkon ndryshim, dhe vonesat veç sa i shtojnë pakënaqësitë për politikën e vjetër dhe korrupsionin e saj”, thuhet në fund.