Nevzad Lutfiu ka bërë të ditur se sot e ka përfunduar mandatin e tij si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Në një postim në Facebook, ai ka uruar suksese pasardhësit të tij, Enkel Rexhepit, dhe ekipit të tij në misionin e rëndësishëm që i pret.
Lutfiu ka shtuar se ndjehet i qetë dhe i përmbushur në ndërgjegjen tij, sepse gjatë mandatit të tij thotë se ka bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tij për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim. Kontributi, bashkëpunimi dhe besimi juaj kanë qenë forca ime kryesore. Ndjehem i lumtur që grupe të caktuara të interesit që ishin mësuar që përmes shantazhin të përfitojnë, gjatë mandatit tim i mbet fyti terur”.
“Po aq krenar jam që shumë qytetarë tanë përfituan nga mbështetja institucionale pa pasur nevojë për ndërhyrje apo kompromise. Pavarësisht pozitës që mund të mbaj në të ardhmen, gjithmonë do të jem pranë jush për të mbështetur dhe shërbyer komunitetit tonë “, ka thënë Lutfiu.
Ai shtoi vazhdimi i forcimit të të drejtave dhe mirëqenies së shqiptarëve të Luginës mbetet një detyrë e përbashkët.