Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, prezantuan një plan ambicioz investimesh për Prishtinën prej 1.5 miliardë eurosh.
Kreu i LDK-së dhe ai i Prishtinës u zotuan se projektet e prezantuara do ta transformojnë infrastrukturën e kryeqytetit.
Duke folur për potencialin e këtyre projekteve, Rama tha se investimet e planifikuara do të prekin çdo aspekt të jetës së qytetarëve, duke përfshirë infrastrukturën rrugore, arsimin, shërbimet publike, etj.
Ai u shpreh me bindje se me LDK-në dhe Lumir Abdixhikun në krye të Qeverisë, Kosova do të hyjë në një periudhë të zhvillimit të hovshëm.
“Nuk kam asnjë dyshim se dr. Lumir Abdixhiku do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Me projektet që kemi prezantuar dhe me planin tonë zhvillimor, Prishtina dhe mbarë Kosova do të lulëzojnë. Kryeministër në ardhje, urime fitorja!” – deklaroi Rama.
Rama vuri theks të veçantë te projektet që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, si shkollat me mësim tërëditor, që sipas tij, do të kenë impakt pozitiv në ekonomitë familjare.
“Po kthehem pak të mënyra se si shpenzon Qeveria sot. Dmth, 100 milionë euro është një punë e madhe t’i bësh bashkë. Ndërsa, Qeveria sot i shpërndan, i djeg 100 milionë euro. Paramendo çka do të bënim ne me 100 milionë euro ne. Me mësim tërëditor për shembull, vetëm me mësim tërëditor tash me 5 shkolla që kemi fillu, ne kemi një impakt super pozitiv në ekonomitë familjare. Pra, i ndihmojmë familjet de fakto vetëm me shkollat tërëditor. Përkundër problemeve që kemi, ne kemi mbërri shpenzime historike, e nuk kam dyshim që, me kryeministër Lumirin, edhe me LDK-në në Qeveri, Prishtina, Kosova, lulëzojnë shumë shpejt. “Na hajgare s’po bëjmë, po punojmë. E ardhmja është Lidhja Demokratike e Kosovës.” – deklaroi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.