Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për bashkëpunim të ndërsjellët në trajtimin e sfidave dhe përpjekjeve drejt fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Me këtë rast, kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar shefin e EULEX-it, me punën, të arriturat, sfidat dhe objektivat e institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Ndërsa, shefi i EULEX-it, Wigemark, duke e vlerësuar punën e Prokurorit të Shtetit, tha se institucioni që ai drejton brenda mandatit të vet do të vazhdojë mbështetjen për prokurorinë në promovimin dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Lumezi dhe Wigemark, po ashtu diskutuan edhe se si pandemia COVID-19 ka ndikuar në sundimin e ligjit dhe ecurinë e punëve të gjyqësorit në Kosovë, në veçanti në sistemin prokurorial. Po ashtu, shkëmbyen mendimet se si të trajtohen vonesat në arritjen e vendimeve përfundimtare në rastet individuale.