Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar Lumir Abdixhikun që u zgjodh sot kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është i bindur se me lidershipin e Abdixhikut, LDK-ja do ringrihet edhe më e fortë.
“Urimet më të mira për kryetarin e ri të LDK-së Lumir Abdixhiku. Jam i bindur se me lidershipin e tij LDK do të ringrihet edhe më e fortë se më parë e do të vijojë me përkushtim angazhimin e saj për të ardhmen e Kosovës në rrugën e nisur nga ish-presidenti Ibrahim Rugova”, shkruan Basha.
Ai po ashtu, u shpreh se po pret me kënaqësi që të punojë me Abdixhikun.
“Pres me kënaqësi të punoj me kryetarin e ri të LDK-së Lumir Abdixhiku, për të vijuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy partive, si dhe për të çuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona”, shkruan Basha.
Abdixhiku ka arritur të marrë mbi 190 vota nga 329 delegatë që kanë votuar, duke arritur të zgjidhet kryetar qysh në raundin e parë.
Në garë për këtë post ishin edhe Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa. Haziri ka marrë 117 vota, kurse Mustafa vetëm 16.