Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka biseduar me telefon për situatën në Siri me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, njofton Kremlini.
Sipas mediave të huaja, në një deklaratë Kremlini tha: “Fokusi ishte në përshkallëzimin e situatës në Republikën Arabe Siriane”.
“U shpreh mbështetje e pakushtëzuar për veprimet e autoriteteve legjitime të Sirisë për të rivendosur rendin kushtetues dhe për të rivendosur stabilitetin politik, ekonomik dhe social të shtetit sirian”, thuhej më tej në deklaratë.
Kujtojmë se që prej nisjes së luftimeve në vendin e Lindjes së Mesme, Irani, së bashku me Rusinë, është një aleat i Sirisë, shkruan A2 CNN.
Në vitin 2016, Irani mbështeti trupat siriane në rimarrjen e Aleppos dhe ndihmoi në ndryshimin e rrjedhës së luftës siriane.
Që atëherë Teherani ka krijuar një bazë të madhe në vend dhe e sheh Sirinë të luajë një rol kyç në rajon në aspektin strategjik, duke ofruar një korridor tokësor për Hezbollahun në Liban.