×
  • Opinione
  • Opinione

    Lufta e Gazës do ta ndryshojë botën

    Gideon Rachman
    07 Nëntor 2023

    Nga: Gideon Rachman / The Financial Times

    Things can only get better [Gjërat vetëm mund të përmirësohen!], ndihej si himn i viteve 1990. Kënga që u publikua në vitin 1993 – katër vjet pas rënies së murit të Berlinit – ishte kolonë e përsosur zanore për dekadën në të cilën aparteidi përfundoi, demokracia erdhi në Evropën Lindore, paqja erdhi në Irlandën e Veriut dhe marrëveshjet e Oslos premtuan fundin e konfliktit Izrael-Palestinë.

    Në vitet 1990, fryma e epokës favorizoi paqebërësit, demokratët dhe internacionalistët. E, sot, nacionalistët, luftënxitësit dhe teoricienët e konspiracionit janë ata që e kanë erën në favor të velave të veta.

    Ekziston rreziku i shtuar që – gjatë vitit të ardhshëm – Rusia të përparojë në luftën e saj me Ukrainën. Optimizmi i cili në Lindjen e Mesme ushqehej prej Marrëveshjeve të paqes të Abrahamit – midis Izraelit dhe disa shteteve arabe – u shkatërrua nga sulmet e Hamasit dhe nga pushtimi izraelit i Gazës. Aktualisht, më e besueshme duket lufta më e gjerë në Lindjen e Mesme sesa procesi i ringjallur i paqes.

    Në ShBA, presidenca e Joe Bidenit është në telashe të thella. Donald Trumpi tashmë është favoriti i tregjeve të basteve për marrjen e Presidencës në vitin 2024. Sondazhet e fundit tregojnë se ka avantazh të mirë në shumicën e shteteve të luhatshme që zgjedhjet i përcaktojnë.

    Të gjitha këto zhvillime keqdashëse, kontribuojnë në situatën e errët politike globale. Gjithashtu, ato drejtpërdrejt po e ushqejnë njëri-tjetrin.

    Lufta e Gazës e ka detyruar ShBA-në të shmang vëmendjen dhe burimet nga Ukraina. Në disa raste, ka konkurrencë të drejtpërdrejtë për municione. Ukraina ka pasur mungesë të madhe të predhave dhe tani po konkurron me Izraelin për furnizime të pamjaftueshme. Sistemet e mbrojtjes ajrore janë gjithashtu të nevojshme – si nga Ukraina ashtu edhe nga Izraeli.

    Aftësia tashmë e dobët e Perëndimit për të siguruar mbështetjen globale për Ukrainën, është dëmtuar më tej nga zemërimi i Jugut Global për mbështetjen që ShBA-ja ia ka dhënë Izraelit. Përpjekjet për ta nxitur argumentin se Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë, tash e tutje do të përballen me akuzat e reja për standarde të dyfishta.

    Këto zhvillime erdhën në një kohë kur veçse po lëkundej përpjekja e luftës e ukrainasve. Kryesisht ka dështuar kundërofensiva e qeverisë së Kievit.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka hedhur poshtë – me zemëratë – idenë se lufta po kthehet në ngërç. Por, në fakt, parashikimet e ngërçit mund të jenë shumë të dukshme. Rusia është kthyer në ekonomi lufte dhe ndoshta – gjatë vitit të ardhshëm – do të ketë avantazh të shtuar me armatimet dhe me numrin e trupave. Forcat ruse ka të ngjarë të godasin – edhe një herë gjatë muajve të ardhshëm – qytetet dhe infrastrukturën e Ukrainës.

    Ukraina e goditur mbetet shumë e varur nga Perëndimi – për armatim dhe për mbështetje financiare. Por, mbështetësit perëndimorë të Kievit, nuk kanë arritur të rrisin prodhimet e veta të armëve, për t’u përshtatur me makinerinë ruse të luftës. Ndërkohë, në Kongresin e ShBA-së ka ngecur financimi i vazhdueshëm për Ukrainën, pasi republikanët që mbështesin Trumpin janë duke u kthyer kundër luftës.

    Në vitin e ardhshëm, Vladimir Putini ka edhe më shumë arsye për ta vazhduar luftën, duke pasur parasysh perspektivën e shtuar të Donald Trumpit për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe për ta lënë Ukrainën në mëshirë të fatit.

    Për shkak të konfliktit të Gazës, fitorja e Trumpit është bërë edhe më e mundshme. Bideni ka nevojë për votues të rinj përparimtarë dhe arabo-amerikanë të cilët do të dalin dhe do të votojnë për të. Por, shumë nga ta janë të zemëruar me mbështetjen e administratës së tij për Izraelin. Nëse progresistët qëndrojnë në shtëpi ose votojnë për kandidatët periferikë, zgjedhjet mund të shkojnë kah Trumpi.

    Sigurisht, do të ishte absurde që ndjenjat pro-palestineze ta kthejnë – në mënyrë indirekte – Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Ish-presidenti edhe një herë po kërcënon se do t’i ndalojë myslimanët që të hyjnë në ShBA. Por, historia është e mbushur me absurditete.

    Vëmendja intensive globale mbi Izraelin dhe Gazën, mund të sigurojë gjithashtu mbulesën për abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut. Javët e fundit, dëbimet masive dhe transferimet e detyruara të njerëzve ose janë kryer ose janë shpallur në Pakistan, në Sudan dhe në Nagorno-Karabah.

    Gjithashtu, me përkeqësim rrezikohen edhe problemet e tjera urgjente. Ndryshimet klimatike po duken gjithnjë e më të rënda. Por, samiti COP28-ës që do të fillojë më vonë në këtë muaj në Dubai, do të zhvillohet me liderët botërorë që janë të hutuar nga Gaza.

    Me Amerikën e shtrirë jashtë shtetit dhe të paqëndrueshme brenda në vend, Kina mund ta nuhasë një mundësi. Aktualisht, ka disa shenja të tentimit për t’u afruar Pekini me Uashingtonin. Por, tabloja e madhe mbetet kjo: Kina e synon eliminimin e ShBA-në si fuqi dominuese në Paqësor dhe ndoshta në botë.

    Tajvani është fokusi kryesor i ambicieve të Xi Jinpingut. Analistët në Uashington besojnë se ushtrisë kineze ai i ka thënë që të bëhet gati për pushtim të ishullit – deri në vitin 2027. Në një përpjekje për të penguar Kinën, Bideni vazhdimisht është zotuar se do ta mbrojë Tajvanin. Por, me Amerikën e shpërqendruar dhe të ndarë, Xi mund ta shohë mundësinë – gjatë vitit të ardhshëm – për ta shtuar presionin ndaj ishullit. Kriza e sigurisë në Azinë Lindore do t’i shtohej krizave që tashmë po mbërthejnë Evropën dhe Lindjen e Mesme.

    Në retrospektivë, duket e përshtatshme që Gjërat vetëm mund të përmirësohen u publikua nga një grup i quajtur D:Ream [ëndrra!]. Tridhjetë vjet pas publikimit të këngës, ëndrra përfundimisht ka marrë fund.

    Është fatalizëm të thuhet se tashti jemi në epokën kur gjërat vetëm mund të përkeqësohen. Por, është realitet i thjeshtë për të kuptuar se sa keqdashëse janë tendencat më të fuqishme që kanë të bëjnë me çështjet botërore dhe se ato tashti po marrin vrull gjithnjë e më të madh. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Vip10 Janar 2025
    Vullneti ka komentuar pëlqimin që ka Driloni për Sarën, duke e kritikuar pse ai nuk bën asgjë për të. Sipas Vullnetit, Driloni...
    Zgjedhjet 202510 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka takuar strukturat e Gruas nga Klina...
    Lajme10 Janar 2025
    I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka lansuar spotin e nisjes së fushatës, ku ka folur për zgjedhjet e...
    Lajme10 Janar 2025
    Bashkimi Evropian ka deklaruar se është duke ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, që lidhen me veprimet e...
    Lajme10 Janar 2025
    Hetuesi policor, Idriz Gashi i cili ishte rikthyer sot në punë pas përfundimit të afatit të suspendimit, është njoftuar prapë për vazhdimin...
    Vip10 Janar 2025
    Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me nofkën “Gjesti”, është bërë një fenomen në botën e showbizit në Kosovë dhe Shqipëri. Gjesti tashmë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.