Hajdin Salihu është futbollisti tjetër i Llapit që arriti ta prekë ëndrrën evropiane duke u transferuar jashtë vendit.
Qendërmbrojtësi llapjan iu bashkua Lokomotivës së Zagrebit, klubit kroat, i cili shquhet si “fole” e talenteve, shkruan FrontOnline.
Fillimisht, 19-vjeçari është inkuadruar me të rinjtë e Lokomotivës, por falë paraqitjeve të mira, ai është paraqitur edhe me skuadrën A të klubit kroat.
Huazimi i Salihut te Lokomotiva e Zagrebit skadon më 30 qershor, derisa me Llapin, reprezentuesi i Shqipërisë U21 ka kontratë deri në verën e vitit 2022.
Në lidhje me të ardhmen e Salihut, FrontOnline ka kontaktuar me zëdhënësin e Llapit, Petrit Miftari.
Miftari ka deklaruar se Lokomotiva ka shprehur interesim që ta blejë futbollistin në baza permanente.
“Salihu ka bërë paraqitje të mira për Lokomotivën duke qenë disa herë pjesë e formacionit bazë të skuadrës A. Huazimi i tij skadon më 30 qershor”, ka thënë Miftari.
Ai tregon se klubi i Llapit është duke e shqyrtuar ofertën e Lokomotivës për shitjen e Salihut.
“Ka interesim nga Lokomotiva për ta blerë atë, por jemi duke e shqyrtuar mirë ofertën që vie në drejtim të tij pasi ai ka kontratë me klubin edhe për një vit”, tregoi ai.
Sa i përket afatit kalimtar veror, Llapi tashmë është përforcuar me dy qendërsulmues si Drilon Fazliu dhe Alef Firmino, teksa Miftari thotë se kërkimet për transferime cilësore po vazhdojnë.
“Llapi nuk po ngutet. Siç e dini, ne kemi sjellur tashmë dy sulmues qëndrorë si Alef Firmino dhe Drilon Fazliu, por synimi ynë është të vazhdojmë kontratat me futbollistët aktual që janë në planet e trajnerit. Ndërsa, për përforcime duhet të mendojmë të sjellim pak, por cilësore dhe futbollistë që kryejnë punë duke filluar nga ndeshjet ndërkombëtare si dhe për edicionin e ri”, përfundoi të mërkurën për FrontOnline Petrit Miftari.
Ndryshe, Llapi e mbylli këtë edicion me triumfin në Kupën e Kosovës, që ia mundëson skuadrës së Tahir Batatinës pjesëmarrjen për herë të parë në UEFA Conference League./FrontOnline/