Një nga lobistët e serbëve në SHBA, ish-diplomati Jim Jatras, dhe këshilltar i shumë senatorëve amerikanë, deklaroi sot në Beograd se nëse fiton Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në SHBA do të ishte një gjë shumë e keqe për Serbinë.
Jim Jatras është një lobist që rrënjët e tij të origjinës i ka greke dhe kryesisht ka pasur aktivitet në Rusi, Ukrainë por edhe Rusi.
Në intervistën e dhënë për televizionin Sputnik, edicionin për Ballkanin në gjuhën serbe, Jatras deklaroi se kandidati demokrat për President nuk është miqësor me serbët por me shqiptarët. Pyetja e gazetarit serb ishte:
Çfarë mund të presë Ballkani nëse Joe Biden fiton zgjedhjet? Dhe përgjigja e jatras ishte e prerë: “Asgjë të mirë. Në politikë nuk voton kurrë për dikë, voton kundër dikujt. Asnjë person i mirë nuk vjen në pushtet, ka vetëm të këqij dhe shumë të këqij”.
“Biden është shumë i keq. Biden është, në fakt, vetëm një Bob Dole tjetër. Ai ishte urrejtësi më militant i serbëve në të gjithë Senatin e SHBA. Me të në Shtëpinë e Bardhë, mendoj se mund të presësh presion të ri mbi Serbinë për t’u nënshtruar. Biden nuk kujdeset aq shumë për biznesin, Trump dhe njerëzit përreth tij kujdesen më pak. Biden gjithashtu tregoi se ai do të ishte më anti-rus se Trump. Problemi me politikanët amerikanë dhe Ballkanin është të kuptuarit se Jugosllavia ishte një mini-BRSS, dhe se serbët janë mini-rusë, kështu që ata janë po aq të këqij sa rusët e mëdhenj. Një nivel i tillë i urrejtjes është i pranishëm në spektrin politik të cilit i përket Biden dhe do të jetë shumë, shumë më keq nëse ai fiton”, tha lobisti i serbëve.
Në fakt mediat shtetërore ruse këto ditë i kanë intensifikuar qëndrimet kundër kandidatit demokrat dhe duket se preferojnë sërish Donald Trump-in.