Derisa kemi hyrë në katër xhirot e fundit në Superligën e Kosovës në futboll, lufta për titullin e kampionit është bërë më interesant se asnjëherë më parë.
Prishtina, Drita dhe Ballkani janë duke garuar “fyt për fyt” që ta fitojnë titullin këtë edicion, raporton FrontOnline.
Në kuadër të javës së 33-të, sot, zhvillohen tri ndeshje jashtëzakonisht interesante, por edhe vendimtare për kreun e tabelës.
“Derbi i Anamoravës” mes Gjilanit dhe Dritës që mund ta përcaktojë fatin e kampiones në fuqi si dhe ndeshja mes Besës dhe Prishtinës, derisa ndeshja tjetër mes Feronikelit dhe Trepçës ’89 luhet për mbijetesë.
Për t’i analizuar këto ndeshje si dhe luftën për titull, FrontOnline ka biseduar me ish-futbollistin e Prishtinës dhe Dritës, Xhevdet Llumnica.
Llumnica që sot jeton në Suedi fillimisht e ka komentuar derbin gjilanas.
“Gjilani – Drita është gjithmonë një ndeshje e veçantë pavarësisht se në çfarë pozite gjenden skuadrat në tabelë”, ka thënë fillimisht Llumnica duke vazhduar:
“Kësaj radhe, Gjilani nuk ka për çfarë luan dhe pikërisht kjo e bën një skuadër të papërshtatshme si kundërshtar në këto ndeshjet e fundit sepse luan pa presion”.
Sipas tij, derbin e sotëm do ta fitojë Drita.
“Dritën e shoh favorite për ta fituar ndeshjen dhe t’i mbaj shpresat për titull deri në fund”, theksoi ai.
Tutje, Llumnica duke folur për ndeshjen Besa – Prishtina, thotë se kryeqytetasit nuk duhet t’i nënvlerësojnë pejanët, derisa tregon se Prishtinën e sheh favorite për titull.
“Në ndeshjet e fundit, Besa e ka pasur një ngritje dhe një vetëbesim më të madh. Nuk duhet nënqmuar dhe sigurisht tash nga Prishtina varet gjithçka. Prandaj, Prishtinën e shoh favorite”, deklaroi të mërkurën për FrontOnline Xhevdet Llumnica./FrontOnline/