Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci duke uruar për njohjen e Izraelit, ka dhënë komente edhe për situatën e mbrëmshme në Skenderaj me vizitën e Liderit të VV-së, Albin Kurti.
Lladrovci ka dhënë “porosi për ata që nisen me përcjellje që bartin armë të gjata në Drenicë”.
‘Besoj se duhet ta dini se ky rajon historik, përgjithmonë ka hy në gjeografinë dhe historinë kombëtare si djep i UÇK-së, ashtu si udhëheqësit e saj, bashkë me mijëra heronj, dëshmorë e martirë të kombit’ ka shkruar Lladrovci.
Sipas tij, Policia e Kosovës, duhet të japë sqarim, përse tërë ai kordon i policëve me armë të gjata në një qytet tejet miqësor, apo kishte informacion se jeta e dikujt ishte e kërcënuar.
Postimi i plotë i tij në facebook:Njohja e Izraelit për Republikën e Kosovës, është hap i madh dhe historik. Këtë e kanë ditur edhe kreatorët e Marrëveshjes në Uashington.
Njohja e Izraelit, është njohje me ndikim për politikanët hebraik anekënd globit, që arrin me ndikim dhe udhëheqje dhe ndikim në mbi 40 shtete në të gjitha kontinentet. Kosova dhe kombi shqiptar, vijon të ketë bekimin e ShBA-së, duke marrë përkrahjen e botës demokratike, normalisht edhe Izraelit.
Për shkak të angazhimeve, nuk kam arritur të jap opinionin tim rreth ngjarjeve të mbrëmshme në Drenicë, në Skenderaj më konkretisht. Të gjithë, duhet ta dinë se Drenica është një, sikur para një shekulli, sikur sot, sikur nesër.Me keqardhje, mësova se z. Kurti ka zbarkuar në Skenderaj i shoqëruar me forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Sa i takon mikpritjes, Drenica është e mirënjohur dhe jo ai, po kushdo qoftë, ka qenë dhe është i mirëseardhur. Por, kurrë, as ka duruar as duron provokime, aq më pak, nga prania e Njësisë së Policisë tonë, Policisë së Kosovës, madje edhe me armë të gjata.Porosi për ata që nisen me përcjellje që bartin armë të gjata në Drenicë: Besoj se duhet ta dini se ky rajon historik, përgjithmonë ka hy në gjeografinë dhe historinë kombëtare si djep i UÇK-së, ashtu si udhëheqësit e saj, bashkë me mijëra heronj, dëshmorë e martirë të kombit.Drenica është njëherësh kreatore e një qëndrese shembullore që filloi me Jasharajt legjendar që vijoi deri në çlirimin e Kosovës. Andaj, demonstrimi i forcës dhe disiplinës në Drenicë, nuk i bën nder kësaj ane, as partive që vinë për fushata, sepse, e duam shtetin tonë dhe institucionet, sepse, kemi paguar çmim tepër të lartë që të mos kemi sërish pamje të tilla tronditëse duke parakaluar uniformat dhe armët e gjata në shesh, kinse po ruajnë një shqiptar nga shqiptarët.Policia e Kosovës, duhet të japë sqarim, përse tërë ai kordon i policëve me armë të gjata në një qytet tejet miqësor, apo kishte informacion se jeta e dikujt ishte e kërcënuar. Nëse këtë nuk e sqaron Policia e Kosovës, për keqardhje, duket dorëzim para sondazheve të rrjeteve sociale, duke rënë viktimë e dezinformatave për rezultatin zgjedhor para zgjedhjeve madje edhe shpërdorim i autoritetit dhe nënshtrim para autoritetit të supozuar.Jo, kjo nuk i duhet Drenicës. Drenica ka qenë demokratike edhe kur ky term nuk ishte i njohur për tërë popullin tonë, sepse, nuk duronte as krajl as mbret. Uroj të mos përsëriten skenat e tilla. Partitë politike dhe vizionet janë të mirëseardhura këtu, por, mos harroni, në Drenicë, trima jemi vet!