Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se është befasuar me lajmin se është paraburgosur Labinot Gruda, ish-drejtor i liruar nga departamenti i Buxhetit dhe Financave i kësaj komune.
Lladrovci mohon se Gruda ka lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës por edhe me punën në këtë komunë.
Ai thotë se fotografia e publikuar në të cilën shihet bashkë me Grudën, ishte bërë gjatë dëgjimeve buxhetore.
”Lajm befasues se është paraburgosur ish drejtori i liruar nga departamenti i Buxhetit dhe Financave, për gati 9 muaj në komunën e Drenasit. Puna e tij në komunën tonë, gjatë vitit 2018, ka qenë e lidhur me përvojën e tij në Ministrinë e Financave, ndërsa ndërprerja e marrëdhënies së punës në Komunë, ka qenë për shkaqe personale.
Fotografia ime e publikuar nëpër media bashkë me z. Gruda, është fotografi gjatë dëgjimeve buxhetore, pra, nuk është e lidhur me aktivitetet partiake. Lidhja e emrit të tij me punën në komunë gati nëntëmujore në Drenas dhe si anëtar i PDK-së, është e pavërtetë. Nga dita e largimit të tij nga komuna, ai nuk kishte asnjë qasje profesionale as përgjegjësi.
Besimi ndaj organeve të gjurmimit, hetimit dhe zbatimit të drejtësisë, është e paluhatshme!”.