×
  • Lajme
  • Lajme

    Lista Serbe përmes përvetësimit të komuniteteve të tjera po tenton të bllokojë sistemin në Kosovë

    FrontOnline
    30 Janar 2021

    Deklarata e mëhershme të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, se ata do të luftojnë edhe për interesat e goranëve, boshnjakëve dhe romëve, janë parë me shumë dyshime në vend. Për disa, kjo deklaratë është një parapërgatitje për një skenar të Listës Serbe për të kontrolluar komunitetet e tjera pakicë në Kuvendin e Kosovës, duke siguruar 14 vota në Parlament. Krejt kjo po shihet si tendencë për shtrirjen e ndikimit të Beogradit zyrtar në Kosovë.

    Rakiq këtë deklaratë e kishte bërë më 15 janar, ditën kur dorëzoi në KQZ listën me kandidatët për deputetë nga subjekti i tij për të garuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

    “Lista Serbe nuk do të luftojë vetëm për interesat e popullit serb, por Lista Serbe do të luftojë edhe për interesat e goranëve, boshnjakëve, myslimanëve, romëve dhe të gjithë njerëzve të tjerë që kanë qëllim të mirë”, kishte deklaruar Rakiq.

    Komunitetet joshumicë kanë 20 vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, prej tyre 10 i takojnë komunitetit serb, tre janë për komunitetin boshnjak, dy janë për komunitetin turk dhe nga një për rom, ashkali, egjiptian dhe goran. Një ulëse shtesë mund të marrë një prej komuniteteve boshnjak, turk, rom, ashkali ose egjiptian, varësisht se kush merr më shumë vota.

    Në zgjedhjet e fundit, Lista Serbe mori dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, ndërsa të njëjtin sukses mëton ta përsërisë sërish dhe duke përkrahur iniciativa të caktuara të komunitetit boshnjak e rom dyshohet se po tenton që të ketë nën kontroll edhe 4 ulëse të tjera në Kuvend, që në total i bie 14 deputetë, e kjo përkthehet me dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë në Parlament, të rëndësishme për ndryshimet kushtetuese dhe miratimin e ligjeve.

    Realizimi i mundshëm i një skenari të tillë po shihet si shumë i rrezikshëm në sytë e njohësit të çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi. Në një prononcim për KosovaPress, ai deklaron se Lista Serbe nuk është zëri i serbëve të Kosovës por zëri i Beogradit zyrtar në Kosovë.

    “Lista Serbe nuk përçon interesin serb në Kosovë, por interesat e Serbisë në Kosovë. Tjetra është që i ka bllokuar disa procese kur kanë qenë shumë domethënëse në miratim-plotësimin e Kushtetutës, ligjeve esenciale por edhe në emërimin e autoriteteve. Po ashtu është përpjekur të marrë përkrahje tjetër që të bllokojë proceset në Kuvend”, thotë ai.

    Sipas Ibishit, loja që po bënë Lista Serbe për të kontrolluar më shumë deputetë në Kuvendin e Kosovës është tendencioze dhe ka për synim rritjen e dominimit në Kosovë.

    Ai kujton se me 2/3-at e votave nga komunitetet pakicë, Lista Serbe do të bllokojë jo vetëm ligjet me të cilat synohet integrimi evropian dhe vet sistemin, por edhe të përvetojë komuniteteve të tjera në të ardhmen.

    “Tendenca e Listës Serbe dhe autoriteteve në Serbi është që përmes kësaj, arritjen e 2/3 të komuniteteve tjera jo të bllokojë sistemin, por njëkohësisht edhe t’i përvetësojnë komunitetet e tjera, duke u ofruar mundësinë për benefite, që realisht komuniteti serb i gëzon në Kosovë, pensione, aspekti shëndetësor, edukimi, që kanë benefite shtesë, që t’i joshin për t’iu bashkëngjitur Listës Serbe. Këtë (skenar) duhet llogaritur si shumë të rrezikshëm për arsye se në këto momente që janë mjaft të brishta, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe emërimit të autoriteteve, që njëkohësisht janë esenciale në integrimet evropiane, ku ligjet duhet të miratohen me 2/3 e shumicës në parlament dhe 2/3 e shumicës së pakicave sistemi do të jetë shumë i dominuar nga Lista Serbe”, shprehet ai.

    Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës deklaroi për KosovaPress se ka një tendencë nga Lista Serbe për të pasur nën kontroll më shumë vota sesa ato 10 të cilat i kanë.

    Ajo tërheq vërejtjen që të mos lejohet ushtrimi i presionit mbi qytetarët, të cilitdo komunitet qofshin ata, për të ndikuar vullnetin e tyre politik.

    “Tendenca për të marrë përfaqësues të cilët mund të votojnë apo mund të kenë lidhje me Listën Serbe do të thotë ndikim i drejtpërdrejtë në mënyrën si këta deputetë të cilët janë nga komuniteti joshumicë do të votojnë. Pra duket që ka një tendencë nga Lista Serbe për të pasur nën kontroll më shumë vota sesa ato 10 vota që tashmë i kanë. Ajo që ne duhet të bëjmë është që të sigurohemi se garantohet e drejta për zgjedhje dhe që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Të mos lejojmë partitë politike dhe askënd që të bëjnë presion mbi qytetarët për të performuar vullnetin e tyre apo edhe për të deformuar qoftë edhe përfaqësimin e komunitetit të tyre”, shprehet ajo.

    Krasniqi thekson se dëmi që Lista Serbe përpiqet të bëjë në Kosovë është shumë i madh, duke pasur parasysh se kjo e fundit dirigjohet nga Beogradi.

    Sipas saj, ky subjekt politik po përpiqet që të bëjë edhe më të fuqishëm ndikimin e Beogradit zyrtar në Kosovë.

    “Ne e dimë që Lista Serbe është drejtpërdrejt e dirigjuar nga Beogradi zyrtar dhe nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, dhe kjo mund të interpretohet edhe si një strategji që vjen drejtpërdrejt nga Beogradi për të parë sesi Lista Serbe e shtrinë ndikimin e saj sa më të madh në institucionet e Kosovës dhe të ketë sa më shumë fuqi dhe të dirigjohet kjo fuqi drejtpërdrejtë nga Beogradi”, thotë ajo.

    Nga komunitetet pakicë, Lista Serbe nuk e ka pasur problem bashkëpunimin në legjislaturën e fundit me deputetin e vetëm goran në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha, që ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të tyre.

    Ndërsa, pas shpalljes së zgjedhjeve janë shfaqur edhe dy iniciativa, një nga komuniteti boshnjak Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq në Mitrovicë të Veriut, dhe një nga komuniteti rom Iniciativa Rome në Graçanicë, të dy këto vendbanime me shumicë serbe, gjë që ka ngjallur dyshimet për skenarin që mund të ketë Lista Serbe për t’iu ndihmuar këtyre dy subjekteve me vota, por që këto pretendime janë hedhur poshtë për mediat e tjera nga përfaqësuesit e këtyre dy iniciativave.

    Nga Rubrika
    Lajme17 Nëntor 2024
    Vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti rreth 140 qifte vendosën t’i ndajnë rrugët e tyre. Sipas të dhënave të Agjencisë së...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Njohësi i Çështjeve të Sigurisë, Bedri Elezi për Front Online, thotë se nuk ka besuar në premtimin e kryeministrit Albin Kurti për...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Nesër, Qeveria e Kosovës do të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Sipas kryetarit të...
    Të tjera
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka kujtuar vëllanë e tij, Luanin, i cili do ta festonte ditëlindjen e 51-të sot nëse...
    Bota/Rajoni17 Nëntor 2024
    Sot bëhen 80 vjet që kur u çlirua kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Për këtë ditë, ka shkruar edhe kryeministri i vendit, Edi...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Deputeti i AAK-së njëherit edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, e konsideron mashtrim populist, premtimin...
    Kronika17 Nëntor 2024
    Një grua në Malishevë dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. E njëjta pasi ka pranuar tretman mjekësor me dëshirën...
    Kronika17 Nëntor 2024
    Një i mitur në Kaçanik ka kërcënuar me thikë një grua. Sipas policisë, kjo rrodhi pasi djali i gruas ditë më parë...
    Kronika17 Nëntor 2024
    Një gazetar është ankuar në polici, i cili përderisa ishte në emision televiziv, u kërcënua përmes telefonit. Policia ka njoftuar prokurorin, ndërsa...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.