Duke u nisur pikërisht nga kjo deklaratë, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive (PDS), e cila po mbështet nismën qytetare të opozitës për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në zgjedhjet e ardhshme, thotë se Lista Serbe po përpiqet të “marrë” ulëset e rezervuara për komunitetet tjera pakicë në Kuvendin e Kosovës, duke u dhënë mbështetje subjekteve të caktuara politike të sapoformuara nga radhët e komuniteteve boshnjake, rome, ashkali dhe egjiptiane, si dhe gorane.
Çka u garantohet pakicave në Kuvend?
Nga gjithsej 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë – 10 prej tyre janë për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet tjera pakicë që jetojnë në Kosovë.
Komunitetit boshnjak i takojnë 3 ulëse, komunitetit turk 2 ulëse, përfaqësuesve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto bashkësi, e cila fiton më së shumti vota. Një ulëse i takon komunitetit goran.
“Me 14 deputetë, Lista Serbe do të kishte dy të tretat e shumicës (të votave të komuniteteteve pakicë) dhe mund të jeni të sigurt që asnjë ligj nuk do të mund të kalonte”, thekson Rashiq.
Për miratimin e ligjeve të caktuara në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese, është e domosdoshme mbështetja e dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.
Edhe Duda Balje nga Unioni Socialdemokrat (SDU) i boshnjakëve, e cila deri më tash ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës qe disa herë, thekson që periudhën e ardhshme do të arrihet “realizimi i planit të Listës Serbe, që përmes trupit të saj votues të ushtrojë ndikim dhe të vë nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.
“Numri i popullatës sonë që jeton këtu, nuk është aq i madh, kështu që me një numër të caktuar të votave, mund të ndikohet në marrjen e mandateve politike. Lista Serbe ka pasur rreth 10.000 vota më shumë se sa që i janë nevojitur dhe me ato vota tash po përpiqet që të ushtrojë ndikim”, theksoi Balje.
Çfarë treguan zgjedhjet e fundit?
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në vitin 2019, Lista Serbe kishte arritur fitore bindëse dhe me 53.861 vota të fituara, kishte marrë të dhjetë mandatet për deputetë, të cilat janë të rezervuara për komunitetin serb.
Balje thekson se menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve në fillim të janarit 2021, dy iniciativa qytetare u shfaqën nga radhët e komuniteteve boshnjake dhe rome, për të cilat ajo beson se punojnë për interesin e Listës Serbe.
Bëhet fjalë për Iniciativën qytetare “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” nga Mitrovica e Veriut, e cila është një nga katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për Iniciativën rome të Gazmend Salijeviqit nga Graçanica, gjithashtu komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
“Ata (Lista Serbe) i kanë përllogaritur saktë se mund t’i japin 3 deri në 4 mijë vota për këtë opsion boshnjak dhe një deri në dy mijë vota për nismën rome. Goranët, praktikisht i posedojnë tash e një kohë të caktuar. Mendoj që qëllimi është që të marrin dy të tretat e votave të pakicave, sepse kjo do të ishte fuqi e madhe në Kuvend”, thekson Duda Balje.
Deputeti i dritashëm i komunitetit goran, Adem Hoxha, ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, ndërkaq për një kohë ai kishte kryer detyrën e kryetarit të organit të përkohshëm komunal Gora, që funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë dhe që nga autoritetet e Kosovës konsiderohet si organ paralel.
Duda Balje thekson që Adrijana Hoxhiq, një boshnjake nga Mitrovica e Veriut, në qeverinë e Ramush Haradinajt ishte emëruar në vendin e ministres për Administrimin e Pushtetit Lokal, ndonëse nga radhët e komunitetit boshnjak askush nuk e kishte propozuar për atë pozitë.
Hoxhiq kishte ardhur në atë pozitë pasi që ishte liruar prej detyrës Ivan Todosijeviq nga radhët e Listës Serbe.
Aktualisht, Adrijana Hoxhiq e kryen detyrën e nënkyetares së komunës së Mitrovicës së Veriut, në krye të së cilës është Millan Radojeviq nga Lista Serbe.
Megjithatë, Hoxhiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, i ka demantuar ashpër të gjitha pretendimet se pas saj qëndron Lista Serbe.
Përgjigja e Adrijana Hoxhiqit
“Jo, absolutisht nuk ekziston kurrfarë marrëveshje ndërmjet nismës sime, e cila do të merret me çështjet e bashkësisë boshnjake, dhe Listës Serbe. Nuk ekziston ai luks që një parti politike t’i ndihmojë një tjetre në një proces zgjedhor”, deklaron Hoxhiq.
Sipas saj, ajo tash e disa kohë po planifikon që të angazhohet në mënyrë të pavarur në nivelin qendror, sepse “përfaqësuesit e deritashëm boshnjakë kanë qenë shumë të ndarë”.
“Unë kam qenë në disa mbledhje, kur shënohej Dita e Boshnjakëve dhe kam qenë dëshmitare e akuzave të ndërsjella të partive. Kjo është arsyeja pse unë nuk i jam qasur asnjërës prej partive politike ekzistuese që merren me bashkësinë boshnjake. Kësaj here dëshiroj që unë të jem ajo që do të jetë e qasshme për bashkësinë boshnjake në luftën për themelimin e dy komunave me shumicë boshnjake”, thekson Hoxhiq.
Ajo rikujton se ka qenë në krye të Zyrës Adminsitrative të Qeverisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut dhe pas formimit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, në vitin 2013, ka vazhduar që të veprojë në nivelin lokal.
“Ne jemi shembull i mirë i bashkëjetesës. Kjo është ajo që dëshirojmë të bëjmë edhe në komunat tjera, që të ndajmë shembullin tonë, i cili mund të jetë i mirë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin”, thotë Hoxhiq.
Deri në publikimin e këtij teksti, Gazmend Salijeviq nga komuniteti rom, i cili deri më tash ka punuar në sektorin civil, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a qëndron pas subjektit të tij politik Lista Serbe, ashtu siç pretendojnë përfaqësuesit politikë të caktuar të komuniteteve joshumicë në Kosovë.
As Lista Serbe nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.
Sa është ndikimi real që mund të pritet?
Politologu Ramush Tahiri vlerëson se Lista Serbe nuk do të mund të kontrollojë komunitetet joserbe në Parlamentin e Kosovës, por se ajo do të kishte fuqi të mjaftueshme edhe me dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb.
“Nuk mund të ushtrohet pushtet nga hija. Votat mund të blihen më vonë, të manipulohet me to, por kështu, para zgjedhjeve, jo. Unë nuk shoh arsye për këtë”, konsideron Tahiri.
Ai thekson që për miratimin e ligjeve të caktuara në Kuvendin e Kosovës është e domosdoshme shumica prej dy të tretave të votave ng radhët e komuniteteve joshumicë, gjegjësisht 14 prej gjithsej 20 vendeve që janë të rezervuara për ta.
“Për këtë arsye, Aleksandar Vuçiq po insiston për 10 ulëset e deputetëve të rezervuara për komunitetin serb, sepse ai thotë që të tjerët mund të votojnë kundër interesave të serbëve”, thekson Tahiri.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2019, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit. Në muajin mars të vitit 2020, Qeverisë së Albin Kurtit i është votuar mocioni i mosbesimit.
Në atë kohë, Kosova nuk shkoi në zgjedhje të parakohshme, por deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për zgjedhjen e qeverisë me në krye Avdullah Hotin. Por, Gjykata Kushtetuese, më 25 dhjetor të vitit 2020, solli vendimin që zgjedhja e qeverisë nuk ishte në harmoni me Kushtetutën, për shkak të votës së Etem Arifit në zgjedhjen e qeverisë, i cili kishte dënim të formës së prerë nga gjykata, për shkak të keqpërdorimit të subvencioneve.