Lista Serbe ka dënuar sulmin fizik ndaj djalit të politikanit nga Graçanica, Nenad Rashiq, Nikolës.
Ky subjekt politik përmes një komunikate në Facebook, ka ftuar organet e kompetente që të hetojnë dhe të dënojnë ata që kryen këtë vepër.
Sipas njoftimit të babait të viktimës, Nenadit, djali i tij u sulmua nga rreth 30 persona afër shkollës në Llapnasellë me mjete të forta. Policia ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se ka arrestuar tetë të dyshuar për këtë sulm.
“Lista Serbe dënon në mënyrën më të ashpër sulmin ndaj Nikola Rashiqit në Graçanicë. Ftojmë organet kompetente që në mënyrë sa më të shpejtë të kryejnë hetimet dhe përgjegjësve t’ua japin dënimin meritor. Dënimi i përgjegjësve është obligim i të gjitha strukturave të Policisë dhe të gjyqësisë në Graçanicë, pa marrë parasysh se kush janë sulmuesit. Lista Serbe fton të gjithë që të përmbahen nga konotacionet politike të këtij incidenti derisa organet kompetente të mos kryejnë hetimet”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Pak orë pas incidentit, zyrtari i lart i kësaj liste, Dalibor Jevtiq, përmes një postimi në Twitter e kishte akuzuar dhe fyer politikanin Nenad Rashiq, duke e quajtur “bixhozçi që u bën lajka shqiptarëve dhe u kërkon atyre ta votojnë për të shkatërruar Listën Serbe”.
Lista Serbe që nga themelimi ka pranuar se asnjë vendim nuk e merr pas konsultim me Beogradin zyrtar. Së fundi është akuzuar edhe se ka shtrembëruar vullnetin e pakicave tjera në Kosovë.
Rashiq, një politikan i moderuar serb, edhe më herët ishte ankuar se ka presione e kërcënime me jetë nga serbët, që sipas tij, dirigjohen nga Beogradi.
https://www.facebook.com/srpskalista.net/posts/2858989557754136