Lista “Guxo” e Vjosa Osmanit ka mbetur me pesë deputetë në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes, pasi Donika Gërvalla dhe Faton Peci janë bërë ministra në qeverinë e re.
12 deputetët që u bënë ministra do të zëvendësohen nga deputetët e tjerë të cilët do të jenë të gjithë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nëse Vjosa Osmani arrin të bëhet presidente, atëherë lista e saj në Kuvend do të mbetet me katër deputetë pasi ajo do të zëvendësohet nga një deputete grua e Vetëvendosjes.
Ndërkaq, Eugen Cakolli nga KDI ka zbuluar emrat e deputetëve të rinj që do të fitojnë mandat në Kuvend duke zëvendësuar anëtarët e kabinetit Qeveritar.
Cakolli në Facebook ka shkruar se me votimin e djeshëm të Qeverisë ‘Kurti 2’, janë plot 12 anëtarë të kabinetit ekzekutiv që tashmë kanë humbur mandatin e deputetit.
“Për zëvendësimin e tyre, Kryetari i Kuvendit do t’i bëjë praktikisht kërkesë vetes si U.D. i Presidentit, që të mbushë ulëset e mbetura të zbrazëta. Pastaj, në cilësinë e U.D. të Presidentit, Glauk Konjufca do të kërkojë nga KQZ-ja që të rekomandojë emrat e kandidatëve në radhë me numrin më të madh të votave. KQZ-ja ka afat pesë ditë, që nga pranimi i kërkesës, për të kthyer përgjigje me emrat e ligjshëm të kandidatëve në radhë – të cilët duhet që në seancën e radhës të Kuvendit të japin betimin e tyre”, ka thënë i njejti.
Cakolli ka shkruar edhe emrat e ministrave dhe deputetëve që do të zëvendësohen në Kuvend.
Kandidatët për deputetë që do të zëvendësojnë tashmë ministrat e Qeverisë ‘Kurti 2’ janë:
Donika Gërvalla-Schwarz – Shqipe Isufi
Arben Vitia – Enver Haliti
Hekuran Murati – Mirsad Shkreta
Faton Peci – Gramos Agusholli
Liburn Aliu – Alban Bajrami
Arbërije Nagavci – Yllza Hoti
Hajrulla Çeko – Jahja Kokaj
Rozeta Hajdari – Gresa Bytyqi Kelmendi
Xhelal Sveçla – Hydajet Hyseni Kaloshi
Fikrim Damka – Enis Kervan
Elbert Krasniqi – Fridon Lala
Emilija Redžepi – Samra Ilijazi
Lëvizja Vetëvendosje është grupi më i madh parlamentar me 58 deputetë, ndërkaq Glauk Konjufca dje u zgjedh kryetar i Kuvendit me 69 vota.
Kurse qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti u votua me 67 vota për, 30 vota kundër dhe asnjë abstenim.
Qeveria Kurti 2 pritet t’i ketë 15 ministri, tre zëvendëskryeministra. Pesë prej tyre janë gra.
Kryeministër, Albin Kurti
Zv. Kryeministër i parë për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi
Zv. Kryeministre e dytë dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
Zv. Kryeministre e Tretë për të drejtat e pakicave, Emilija Rexhepi
Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Insfrastrukuturës, Liburn Aliu
Ministër i Bujqësisë, Faton Peci
Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj
Ministër i Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka