Përfaqësuesja e Kosovës U21 do ta fillojë grumbullimin për ndeshjen e parë eliminatore të evropianit 2023 kundër Andorrës, të martën, më 25 maj.
Përzgjedhësi Michael Nees e ka ndarë këtë grumbullim në dy faza, raporton FrontOnline.
Në fazën e parë, prej 25 maj deri më 29 maj janë të ftuar 31 futbollistë dhe kjo fazë do të shërbejë si paraselektim, derisa më pas lista do të reduktohet në 24 futbollistë, të cilët do të jenë në grumbullim në fazën e dytë prej 31 majit, teksa ndeshja kualifikuese me Andorrën U21 zhvillohet më 8 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 20:00.
Stërvitjen e parë, Kosova U21 do ta zhvillojë në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali.
13 ftesa për yjet e futbollit kosovar
Në listën e futbollistëve të ftuar nga trajneri gjerman, Michael Nees nuk mungojnë as futbollistët nga futbolli i Kosovës.
Fillimisht, katër portierë nga futbolli kosovar kanë rënë në “sytë” e Neesit dhe ata janë Agron Kolaj, Flamur Gashi, Egzon Bislimi Laurit Behluli.
Kolaj shkëlqeu këtë edicion me Besën e Pejës, Flamur Gashi e inkuadroi Malishevën në Superligën e Kosovës, Egzon Bislimi njëri ndër më të mirët te Ramiz Sadiku, derisa Laurit Behluli po vazhdon me paraqitje të kënaqshme me Kikën e Hogoshtit.
Futbollistët tjerë nga futbolli kosovar janë Ardi Ajdini (Besa), Albion Pllana (Trepça ’89), Donart Vitija (Malisheva), Drilon Islami (Drita), Bujar Pllana (Feronikeli), Qëndrim Zyba (Prishtina), Valmir Veliu (Llapi), Baton Zabërgja (Llapi) dhe “Lewandowski i Malishevës”, Albion Rrahmani.
Nga Interi, Dortmundi, Hamburgu dhe Fulhami te Kosova U21
Në listën e publikuar nga përzgjedhësi Nees ka edhe futbollistë të rinjë dhe të talentuar që aktivizohen në klube të mëdha evropiane.
Prurjet më të mëdha për ndeshjet e qershorit te Kosova U21 padyshim se janë Rilind Hetemi dhe Adrion Pajaziti.
Hetemi paraqitet te Borussia Dortmundi U23, derisa Adrion Pajaziti është njëri prej më të mirëve te grupmosha U23 e Fulhamit.
Vëmendje kanë marrë edhe Andi Hoti i gjigantit italian dhe kampionit të ri të Serie A-së, Andi Hoti i cili aktivizohet te grupmoshat e reja.
Në “sy pritet të bie” edhe Valon Zymberi, i cili paraqitet te gjiganti gjerman, hamburger./FrontOnline/