×
  • Opinione
  • Opinione

    Liria nuk ka emër, as mbiemër

    FrontOnline
    12 Maj 2021

    Me të vërtetë po ju them, po të kishte emër liria, ajo shumë lehtë mund të kishte emrin e Jusuf Gërvallës, Bardhoshit, Kadrisë (Zekës) e dhjetëra e dhjetëra të tjerëve të cilët shërbimet sekrete jugosllave (serbe) i ekzekutuan, për të ndalur dhe dezorientuar luftën e shqiptarëve për liri. Ajo po ashtu mund të kishte emrin e Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Fadil Hoxhës, Shaban Polluzhës, Adem Demaçit, Anton Çettës , Ukshin Hotit, Ibrahim Rugovës, Zahir Pajazitit, Adem Jasharit…! Njerëz të ndryshëm, shpeshherë të konfrontuar mes vete, synonin lirinë përmes rrugëve të ndryshme dhe aleatëve dhe mundësive të kohës së tyre.

    Unë i përzgjodha këta, e dikush tjetër do të kishte idenë e vet për emrat që do të i rrinin më së miri lirisë tonë. Në fakt, kjo është liria, të respektohesh pavarësisht se mendon dhe ndien, apo ndihesh ndryshe.

    Në murin e pafund të meritave do të gjendeshin dhe gdhendeshin emrat e mijëra të burgosurve, të rrahurve, të dhunuarave, të grabiturve. Liria jonë ka aq shumë emra të mundshëm, aq e gjatë, e mundimshme dhe e kushtueshme ishte rruga jonë e lirisë sa e bënë atë pa emër të përveçëm dhe pa çmim. Veç në 100 vitet e fundit kjo listë emrash është e pafund. E gjatë është edhe lista e emrave të organizatave dhe grupeve të ndryshme që bashkuan forcat për liri. Disa nga ato madje disa herë edhe luftuan kundër njëra-tjetrës duke e parë lirinë ndryshe dhe aleatët e tjerë. Kështu, ata të cilët duan që me disa emra, e disa madje veç me një emër ta emërtojnë lirinë që e gëzojmë sot, janë vetëm përfitues dhe spekulues në politikë.

    Përderisa kur flasim për merita duhet të jemi zemërgjerë, duhet të njohim meritat e gjithsecilit, qoftë edhe atyre të cilët i thanë “jo” Serbisë – në çfarëdo forme. Lartësimi i heronjve nuk bëhet duke i lëkundur eshtrat e tyre në çdo betejë ordinere politike, por duke bërë dhe mbrojtur lirinë për të cilën ranë ata.

    Historia e shumë popujve na mëson se çlirimtarët, shumë herë, pas lufte sillen si pronarë të vendit dhe shtetit, kështu që lufta për demokratizim dhe “çlirimi prej çlirimtarëve” është një vazhdim i luftës për liri. Në emër të luftës së bërë, nuk mund të shkelet liria e qytetarëve. Përfitimi personal e grupor në emër të luftës e ndërton një ideologji që e robëron qytetarin duke e konvertuar prej sovrani në vegël të politikës.

    Në këtë kontekst, fushata ndaj zonjës Gërvalla është idhnake. Kujt ia kemi borxh lirinë? A mund të na e kushtëzojnë? A u kemi borxh të përjetshëm disa komandantëve dhe disa familjeve që dhanë shumë në luftë dhe që pretendojnë shumë në paqe? Kush është sovrani: qytetarët apo ata?

    Politika dhe liria dallojnë aq shumë. Politika është veprimtari që ka të bëjë me pushtetin dhe shtetin, por mund të mos ketë të bëjë fare me lirinë. Edhe ushtritë mund ta sjellin lirinë, por edhe mund ta marrin. Ushtritë janë instrument i politikës dhe kurrë garantuese të lirisë. Garantues të lirisë janë vetëm qytetarët e vetëdijshëm për të drejtën dhe fuqinë e vet.

    Liria jonë erdhi ngadalë. Erdhi pjesë-pjesë, sikur një makineri e komplikuar e cila edhe kur montohet e tëra, pasi e kanë mjeshtëruar shumë mjeshtër, disi vazhdimisht bën kapërcime. Tash jemi në rrethana kur ata që luftuan për liri po gjykohen për krime lufte nga gjykatat të cilat i krijuan vet. Lidhur me këtë ka mendime të ndara në shoqëri. Nga disa, mbrojtja e tyre u shpall qëllim nacional. Gjykimi i tyre u paraqit si fund i lirisë së Kosovës. Viktimat dhe drejtësia u lanë anash në emër të interesit nacional.

    Është vetëm spekulim. E drejta për liri dhe shtet nuk buron nga lufta, as nga organizata apo individët sado që të kenë kontribuar ata. Edhe po të humbet lufta, një popull mund të mbahet i robëruar por jo edhe t’ia vrasin idenë e lirisë. Një popull i vetëdijshëm për këtë, herët a vonë e fiton lirinë. Edhe kur duket se ia sollën lirinë, atë vetëm e kanë gjetur mes tyre. Ky është kuptimi i lirisë. As nuk ia sjell, as nuk ia merr lirinë një populli të gatshëm për liri. Jo se ne nuk ishim të gatshëm për liri edhe para njëqind vjetësh, por Evropa e asaj kohe nuk ishte Evropa e popujve të lirë siç është sot.

    Këtu hyn në skenë Donika Gërvalla Shwarc. Ardhja e saj në krye të Ministrisë së Jashtme, ishte një mesazh se krimet nuk vjetrohen dhe se mos zbardhja e tyre e bën të pamundur pajtimin dhe i mban në pushtet kriminelët. Drejtësia vonon, por vjen. Jusuf Gërvalla, siç u dëshmua më vonë, u vra nga dora e Serbisë, në Gjermani dhe, asokohe, vrasja paraqitej si qërim hesapesh mes emigracionit shqiptar në këtë vend, ashtu siç paraqiten tash vrasjet e pasluftës sikur qërim hesapesh mes politikës në Kosovë.

    Kjo kishte ndodhur kur vajza e Jusufit, Donika, ishte fëmijë dhe sot pas dyzet vjetëve ajo vjen në krye të politikës së jashtme të Kosovës, e motivuar skajshëm të zbardh krimet, duke e shqetësuar seriozisht këdo që krimin e kishte në themelet e politikës së tij, e sidomos Beogradin.

    A nuk qëndron Beogradi pas të gjitha vrasjeve politike në Kosovë?

    Nga Rubrika
    Opinione27 Dhjetor 2024
    Nga: Richard Waters / The Financial Times Në vitin 2024, nuk pati asgjë të re në fushën e inteligjencës artificiale [IA] që...
    Opinione26 Dhjetor 2024
    Shkruan: Lutfi Dervishi Meqë po vjen fundi i vitit dhe ti je i vetmi që mban ende premtime në këtë nahinë tonë,...
    Opinione25 Dhjetor 2024
    Shkruan: Ben Andoni Nuk mund të mohohet se Partia Demokratike ka realizuar edhe protesta të mëdha, sa i përket pjesëmarrjes së publikut....
    Të tjera
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot do të vendosin gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Rekë-Vatë të Kaçanikut....
    Bota/Rajoni28 Dhjetor 2024
    Në Tiranë SPAK-u bëri të ditur të premten se në lidhje me hetimet që kanë përfshirë kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Komuna e Shtimes sot mban ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të objektit të ri të komunës. Në këtë ceremoni merr pjesë dhe...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sot organizon edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve. Në hapje, të pranishmëve do t’u...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot i vranët por me intervale me diell. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të...
    Vip28 Dhjetor 2024
    Opionionisti i Big Brother VIP Kosova, Milaim Zeka, ka mbështetur Vullnetin pas deklarimit të orientimit të tij seksual. Zeka, mes tjerash, i...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.