Në nderim dhe përkujtim të mësuesit, gjeneralit dhe bashkëluftëtarit të komandantit legjendar Adem Jashari Xheladin Gashi – Plakut, artisti dhe ideatori Besart Gashi sot ka nisur punimin artistik, i cili do të jetë punimi i parë i këtij lloji në vendin tonë dhe më gjerë, ku figura e gjeneralit dhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vuloset me mbishkrimin “Liria ka emër”.
Besarti thotë se këtë punim po e bënë në formë të librit pasi që Xheladin Gashi ishte edhe mësues dhe se ky punim pritet të përfundojë më 25 maj, dhe do t’i dhurohet shkollës fillore që mban emrin e heroit në Komoran.
Gashi: Këtë punim do ta punoj për nder të 75-vjetorit të lindjes së gjeneral Xheladin Gashi-Plakut
“Për heroin kombëtar Xheladin Gashi- Plaku është kënaqësi për mua të punoj diçka të tillë, një vepër të veçantë, sepse ai ka qenë njeri i veçantë, dhe të gjithë ata që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës. Xheladin Gashi, heroi i Kosovës, ka qenë një kohë më herët shumë para se të ishte në ilegalen mësues dhe ka dhënë dituri në brezat e ri, për atë arsyeje e kam formuar në formën e librit në të cilën gjeneralin do ta punojë me vula me mbishkrim “Liria ka Emër” dhe do ta vulosi figurën e tij dhe emblemën e UÇK-së, siç e vulosën ata luftën e UÇK-së dhe lirinë e Kosovës. Këtë punim do të përfundojë për 25 maj, për nder të 75-vjetorit të lindjes së gjeneralit dhe do t’i dhurohet shkollës së Komoranit, e cila e mban emrin me krenari Xheladin Gashi- Plaku,” tha Gashi.
Artisti Besart Gashi në vitin 2020 kishte hyrë në Librin Guinness me mozaikun e Agim Ramadanit, i cili gjendet në Gjilan, të cilin e bëri me gëzhoja të plumbit. Besarti të njëjtin qellim ka edhe kësaj here nëse gjen mbështetje nga institucionet.
Me këtë formë të artit, ai thotë se do të bëjë të njëjtën në përmasa më të mëdha dhe shpreson të arrijë të dërgojë emrin e heroit Xheladin Gashi- Plaku në librin e rekordeve Guinness dhe emblemën e UÇK-së.
Besart Gashi: Do të dërgoj emrin e Plakut në librin e rekordeve Guinness
“Besoj se në një të ardhme shumë të shpejtë, nëse gjej nga institucionet përkrahje në këtë formë, me këtë metodë të artit tim tash sot të re që po e provoj, do të aplikoj për librin Guinness dhe do të dërgoj emrin e heroit Xheladin Gashit-Plakut në librin e rekordeve Guinness dhe emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo për mua është një krenari e madhe të çoj emrin e tij dhe të regjistrohet në atë libër”, tha Gashi.
Për këtë punim të Besartit në objektin e qendrës civile në Komoran, Ilir Gashi djali i gjeneral Xheladin Gashit-Plaku, thotë se është ndjenjë e mirë kur brezat e ri vlerësojnë njerëzit që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që sot gëzojmë ne.
Ilir Gashi: Është ndjenjë e mirë kur brezat e ri kujdesen për vlerat e njerëzve që dhanë jetën për atdhe
“Për ne si familje është ndjenjë e mirë, kur brezat e ri kujdesen për vlerat e njerëzve që kanë dhënë jetën për vendin, dhe na kanë sjellë lirinë” tha ai.
Gashi gjithashtu thotë se prej institucioneve deri më tash u ngrit vetëm busti i Xheladin Gashit-Plakut në shkollën e Komoranit.
Ndryshe, sot bëhen 16 vjet pa gjeneralin Xheladin Gashi- Plaku, njëri nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së, dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm që nga themelimi i UÇK-së.
Xheladin Gashi-Plaku u lind më 25 maj 1946 në Komoran. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, kurse shkollimin sipëror në Universitetin e Shkupit në Degën Biologji- Kimi.
Pas mbarimit të studimeve, ai filloi punën si mësimdhënës në shkollën “Bajram Curri” në Nekovc të Drenicës, ku më vonë ishte edhe drejtor i kësaj shkolle. Më vonë, ai vazhdoi punën si pedagog në Komoran, të cilën e kreu gjithnjë paralel me veprimtarinë e tij patriotike ilegale.
Vdekja e gjeti në krye të shoqatës “Miqtë e TMK-së”. Me emrin e tij është emëruar shkolla fillore në Komoran, ndërsa ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e ka dekoruar me medaljen ‘Heroi i Kombit”.