Lindon Berisha është njëri prej portierëve kosovarë që pritet të ketë të ardhme të ndritshme.
17 vjeçari i ka shfaqur aftësitë e tij që kur ishte fëmijë dhe këtë dhunti është duke u munduar ta përsos me ushtrime dhe me disiplinë, në mënyrë që në të ardhmen të bëhet portier i madh.
Lindoni aktualisht është pjesë e ekipit U-19 të Prishtinës, por karrierën e ka nisur diku tjetër.
Në një bisedë me “Gazeta Express”, portieri i lindur në vitin 2007 fillimisht flet për hapat e parë në karrierë dhe për vazhdimin e saj deri tash.
“Gjithmonë e kam dashur rolin e portierit, që në vegjëli, më ka tërhequr më së shumti. Karrierën e kam nisur në Flamurtar, ku kam mbrojtur për 10 vjet. Më pas, nga janari i këtij viti u transferova në Prishtinë”, tregon fillimisht futbollisti.
Berisha tregon se te Flamurtari kishte ushtruar me ekipin senior, ndërsa kishte luajtur për juniorët.
Edhe te Prishtina ka ushtruar me seniorët, ndërsa në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në edicionin e kaluar ka qenë portieri i dytë në ndeshje me Dritën.
Ndonëse është pjesë e klubit më të madh në Kosovë, ai ka oferta nga ekipet tjera për të mbrojtur në ekipin senior dhe për këtë, për të pasur vazhdimësi, nuk e përjashton mundësinë e një lëvizjeje në një të ardhme të afërt.
“I kam tri oferta aktive prej verës, jam duke i shqyrtuar. Në janar mendoj që ta bëj një lëvizje të madhe”, zbulon Berisha, i cili shton se njëri prej këtyre ekipeve që po e kërkon është nga Liga e Parë.
E në të ardhmen, ai s’e fsheh dëshirën për të luajtur në ndonjë klub të njohur evropian, derisa tregon se idhuj dhe modelë të tij janë Manuel Neuer dhe Gigi Buffon.
Lindon Berisha ka qenë pjesë e Kombëtares U-15 dhe U-17 të Kosovës, ndërsa nuk e fsheh ëndrrën e tij për të mbrojtur në të ardhmen në Kombëtaren A të Kosovës.
“Do të punoj fort për t’i arritur dy objektivat e mi, apo mund të them edhe ëndrrat e mia: të luaj në një klub të njohur dhe të jem pjesë e Kombëtares A të Kosovës”, përfundoi Berisha. /Gazeta Express/