Lille ia doli të triumfojë minimalisht 0-1 në kryendeshjen e javës në kampionatin francez ndaj PSG-së dhe u shkëput e vetme në krye me 66 pikë të grumbulluara, tre pikë më shumë se kampionët në fuqi.
Një gol i kanadezit Jonathan David në minutën e 20’ vendosi fatin e përballjes në “Parc des Princes”, ndërsa më pas vendasit provuan të rikthejnë baraspeshën, por nuk ia dolën të dërgojnë topin në rrjetë.
U rikthye nga dëmtimi edhe Neymar, që luajti me fanellën e PSG-së pas thuajse dy muajsh, por nuk e përfundoi takimin, pasi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 89’ dhe la të tijtë me 10 lojtarë.
Rikthehet në garën për titullin kampion edhe Monaco, që mposhti me rezultatin e thellë 4-0 Metzin. Cesc Fabregas zhbllokoi takimin me penallti në minutën e 50’, ndërsa më pas ishin Volland dhe dy herë Ben Yadder.
Me fitoren e sotme, skuadra nga principata ngjitet në vendin e tretë me 62 pikë, vetëm 4 më pak se Lille që kryeson renditjen./SS/