Tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Herbert Amato, Jeffery Butel dhe Magdalena Ziolo, kanë dhënë dorëheqje, nga pozitat e tyre në këtë insitucion.
Pas këtyre dorëheqje, ka reaguar edhe ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.
Ai tha se ndihet i befasuar me këto dorëheqje dhe se nuk ka qenë në dijeni për arsyet arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë.
“Më lejoni të theksoj se, unë si Ministër, jam i befasuar me këto dorëheqje dhe nuk kam qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë. Nëse këto arsye do të më ishin prezantuar, unë do të isha angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata”, thuhet në reagimin e ministrit.
Reagimi i plotë:
Ministria e Arsimit dhe Shkencës po monitoron nga afër situatën e krijuar së fundmi, pas dorëheqjes së pesë anëtarëve (dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë) të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
E ndjej si obligim të ofroj këndvështrimin tim dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës lidhur me këto dorëheqje.
Si Ministër u emërova në qershor të vitit 2020 dhe që nga emërimi im ne si MASh kemi siguruar mbështetjen e plotë për punën e pavarur të AKA-së dhe jemi përpjekur të sigurohemi që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike në funksionimin e AKA-së, përfshirë këtu edhe punën e KSHC-së.
Ne kemi ndërmarrë disa veprime për të siguruar atë mbështetje dhe pavarësi për AKA-në, ndër to:
-Themelimi i Komisionit të Ankesave të AKA-së (tashmë operacional dhe funksional);
– Procedurat intensive për zhvillimin dhe finalizimin e ligjit të ri për AKA-në (drafti përfundimtar veçse ka dalë për konsultim paraprak publik);
-Kemi mbështetur zhvillimin e Strategjisë së AKA-së (procesi është në vazhdimësi). Për më tepër, aktualisht me Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e Kryeministrit ne po punojmë ngushtë për të siguruar ambiente të reja dhe rekrutimin e stafit të ri për AKA-në në mënyrë që të sigurohemi që shërbimet që ofrohen nga AKA-ja të jenë cilësore.
Të gjitha këto, ne i kemi bërë me qëllimin më të mirë, që AKA të kthehet atje ku i takon (anëtarësimi në ENQA) dhe për të mundësuar që ajo të punojë në pavarësi të plotë dhe në përputhje me ESG-të për sigurimin e cilësisë (veçojmë pikën 3.3 Pavarësia: Agjencitë duhet të jenë të pavarura dhe të veprojnë në mënyrë autonome. Ato duhet të kenë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre dhe rezultatet e këtyre veprimeve pa ndikimin e palëve të treta).
Më lejoni të theksoj se, unë si Ministër, jam i befasuar me këto dorëheqje dhe nuk kam qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë. Nëse këto arsye do të më ishin prezantuar, unë do të isha angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata.
Së fundmi, unë dua t’iu garantoj të gjithëve se do të mbetem i përkushtuar për të siguruar pavarësinë e vendimmarrjes së institucioneve të pavarura brenda sektorit që drejtoj dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejoj të minimozohet puna dhe angazhimi i përbashkët për të rritur cilësinë e arsimit tonë.