Në kuadër të Ligës së Parë, në pasditën e sotme do të zhvillohet xhiroja e fundit për edicionin 2020/21.
Në grupin A si dhe në grupin B do të zhvillohen të gjitha ndeshjet, pra dhjetë sosh, raporton FrontOnline.
Në këtë xhiro, që është e fundit për këtë edicion, do të vendoset shumëçka për sa i përket skuadrave që inkuadrohen në elitë dhe atyre që bien në Ligën e Dytë.
Lideri i grupit A, Malisheva në rast të fitores apo barazimit sot në udhëtim te Vëllaznimi, do të inkuadrohej direkt në Superligë.
Ndërkaq, nga vendi i dytë, Dukagjini shpreson në dështimin e Malishevës dhe fitoren ndaj Trepçës për t’u rikthyer në elitë.
Në pjesën e poshtme të tabelës, vëmendja është te ndeshjet Vushtrria – A&N dhe Drenasi – Istogu, ku dy skuadrat vendase duan ta sigurojnë mbijetesën sot.
Nga ana tjetër, në grupin B, Ulpiana e kërkon rikthimin në Superligë pas 12 vjetësh, derisa si lider, sot përballet me Ramiz Sadikun në kryeqytet dhe në rast të fitores, e siguron kalimin në elitë.
Kurse, Flamurtari nga vendi i dytë, pret dështimin e lipjanasve dhe fitoren ndaj Vllaznisë për të dalur direkt në Superligën e Kosovës.
Sa i përket skuadrave që bien nga Liga e Parë, në garë janë KEK-u dhe Ferizaj.
Ferizajasit duhet të fitojnë në shtëpi ndaj Dardanës për ta siguruar matematikisht qëndrimin në Ligën e Parë.
Të gjitha ndeshjet e sotme zhvillohen nga ora 15:00./FrontOnline/