×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Liban, qindra të plag*osur pas shpërthimit të pajisjeve celulare të komunikimit

    FrontOnline
    17 Shtator 2024

    Qindra vetë, mes tyre ambasadori i Iranit, mbetën të plagosur në periferitë e Bejrutit dhe në pjesë të tjera të Libanit, pasi u shpërthyen në dorë pajisjet celulare të komunikimit, sipas njoftimeve nga mediat dhe zyrtarë të sigurisë.

    Ata po mbanin në duar ‘pagers’, pajisje të vogla komunikimi, të ndryshme nga telefonët celularë, që përdoren për dërgimin e mesazheve dhe sinjaleve.

    Nuk dihet ende nëse ka të vdekur.

    Një zyrtar i lartë i zbulimit ushtarak dhe një zyrtar tjetër që kishte dijeni për ngjarjen, të cilët folën në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Associated Press, thanë se pajisjet ‘pagers’ që mbanin anëtarë të grupit Hezbollah shpërthyen. Zyrtari i dytë tha se besohet se bëhet fjalë për një sulm izraelit.

    Agjencia Associated Press iu drejtua ushtrisë izraelite e cila refuzoi të komentonte.

    Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars, e cila është e afërt me Gardën e fuqishme Revolucionare të Iranit, tha në një postim në rrjetin Telegram, se Mojtaba Amani, ambasadori i Iranit në Liban, ka marrë plagë sipërfaqësore dhe është nën kujdes mjekësor në spital.

    Në fotografi dhe video të marra në lagjet periferike në jug të Bejrutit, që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në mediat lokale, duken njerëz të shtrirë në tokë me plagë në duar.

    Udhehqësi i Hezbollahut Hassan Nasrallah kishte paralajmëruar më parë pjesëtarët e grupit që të mos mbanin telefona celularë, pasi sipas tij mund të gjurmoheshin nga izraelitët, për të parë levizjet e tyre dhe për të ndërmarrë sulme.

    Ministri i Shëndetësisë së Libanit u bëri thirrje të gjithë spitaleve të jenë në gjendje gatishmërie.

    Fotografët e agjencisë së lajmeve Assciated Press pranë spitaleve thanë se dhomat e urgjencës ishin të tejmbushura me pacientë, shumica e tyre me plagë në gjymtyrë, disa në gjendje të rëndë.

    Agjencia shtetërore e lajmeve tha se spitalet në Libanin jugor, Luginën lindore Bekaa dhe periferitë jugore të Bejrutit, të gjitha zona ku Hezbollahu ka prani të fortë, kanë bërë thirrje për të dhuruar gjak.

    Sipas kësaj agjencie, në këto zona, për shpërthimin e pajisjeve ‘pagers’ u përdor teknologji e avancuar dhe për pasojë mbeten të plagosur dhjetra vetë.

    Një zyrtar i Hezbollahut, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se ishin plagosur së paku 150 vetë, përfshirë pjesëtarë të grupit.

    “Armiku (Izraeli) është përgjegjës për këtë incident”, tha ai.

    Sipas tij, pajisjet e reja ‘pagers’ që po mbanin anëtarët e Habollahut ishin me bateri me litium, të cilat mesa duket shpërthyen.

    Bateritë e litiumit, kur mbinxehen, mund të nxjerrin tym, të shkrijnë apo edhe të marrin zjarr.

    Bateritë e rikarikueshme të litiumit përdoren gjerësisht në kompjutera, telefona celularë dhe makina elektrike. Zjarri i shkaktuar nga djegja e tyre arrin temperatura të larta, deri në 590 gradë celsius.

    Incidenti ndodh në një kohë që tensionet mes Libanit dhe Izraelit janë shtuar. Grupi militant libanez Hezbollah dhe forcat izraelite janë përleshur pothuajse çdo ditë që kur nisi lufta në Gazë, mes Izraelit dhe Hamasit, ky i fundit aleat i Hezbollahut. /VOA

    Petrol Company feston në Sos Fshatrat e Fëmijëve dhe në Sos Kopsht
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni17 Shtator 2024
    Dy të mitur janë përfshirë në një aksident në Dibër. Njëri prej tyre, vetëm 16 vjeç dhe ende nën moshë për të...
    Bota/Rajoni17 Shtator 2024
    Në rrugët e Maqedonisë së Veriut, gjuha shqipe po vazhdon të hiqet në tabelat e sinjalistikës rrugore. Pas tabelës në rrugën Bllacë...
    Bota/Rajoni17 Shtator 2024
    Kompania “Meta” njoftoi se ndaloi mediat shtetërorë ruse të përdorin platformat e saj të mediave sociale, duke thënë se “ato përdorën taktika...
    Të tjera
    Lajme17 Shtator 2024
    Në Bruksel, gjatë ditës së sotme emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilloi takime të ndara me ekipin kosovar, të...
    Lajme17 Shtator 2024
    Ushtarët e Shqipërisë në kuadër të KFOR-it kanë kryer sot jnë trajnim në kampin në Novosellë, në fshatin Maxhunaj. Në njoftimin e...
    Lajme17 Shtator 2024
    Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se qëndrimi i Amerikës për Kosovën është i palëkundër. Hovenier ka kujtuar edhe përkrahjen...
    Bota/Rajoni17 Shtator 2024
    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka folur në lidhje me “planin e fitores së Ukrainës”. Ai u shpreh se ka disa pika në...
    Lajme17 Shtator 2024
    Në takimin e sotëm në Bruksel që u mbajt mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit, atij serb, Petar Petkoviq dhe emisarit special...
    Lajme17 Shtator 2024
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova ka thënë se partia e saj...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.