Shkruan: Faton Bislimi
Gjerësa fokusi i klasës sonë politike në Kosovë, tanimë është përqendruar kryekëput në fushatën parazgjedhore, regjimi i Vuçiqit fokusin e ka komplet në krijimin e një themeli të fuqishëm lobues në Washington, DC.
Deklaratat e fundit në dosjet FARA zbulojnë zhvillime shqetësuese të muajëve të fundit:
1. Më 15 nëntor 2024, Qeveria e Serbisë përmes të ngarkuarit me punë në ambasadën e vet në Washington, DC, Vladimir Maric, ka kontraktuar Matt Mowers nga Velcour, LLC, për të lobuar në Shtetet e Bashkuara për interesat e Serbisë, me një kosto prej $65,000 në muaj (plus shpenzimet shtesë); dhe
2. Pak më herët, më 27 shtator 2024, Millenium Team d.o.o., një korporatë e madhe serbe me lidhje direkte me Aleksandar Vuçiqin, ka kontraktuar firmën lobuese Steptoe për të njëjtin qëllim, nën petkun e angazhimit për EXPO 2027 në Beograd, për një kosto prej $200,000 në muaj (plus shpenzimet shtesë).
Këto nuk janë lëvizje rastësore. Matt Mowers, një aleat i njohur i Donald Trump, tregon qartë se Serbia po kërkon të rreshtohet me rrethin politik të Trumpit. Kjo është një përpjekje e mirëllogaritur për të siguruar favore që mund të avancojnë interesat e Serbisë në Ballkan—në kurriz të Kosovës, kryesisht.
Nuk duhet të harrojmë lidhjen e ngushtë të Millenium Team me Vuçiqin, regjimi i të cilit ka punuar vazhdimisht për të minuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Bashkëpronari i Millenium Team, Stojan Vujko, llogaritet si manjati i tenderave qeveritar në Serbi e vecanërisht edhe në Beograd. Kompania Millenium Team po ashtu llogaritet si njëra që ka fituar qindra miliona nga pushteti i Vuciqit. Përmes kontratës me Steptoe, Millenium Team ka siguruar edhe shërbimet e firmest jetër lobuese britanike Burstock, e cila ngërthen në stafin e vet menaxhues disa nga njerzit më të njohur të fushën e diplomacisë dhe sigurisë në Britaninë e Madhe. Pra, Serbia po prek direkt në dy vendet më miqësore dhe më përkrahëse të Kosovës – në SHBA e Britani të Madhe.
Me entitete të tilla që lobojnë në Washington, Serbia po pozicionohet për të ndikuar në politikën e jashtme amerikane në favorin e saj.
Kosova nuk mund ta ketë komoditetin të pretendojë se gjithëcka është në rregullë. Duhet të kuptojmë përmasat e këtij sfidimi dhe nevojën urgjente për të tejkaluar çdo mosmarrëveshje të brendshme politike. Tani, më shumë se kurrë, fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë forcimi i marrëdhënieve tona në Washington dhe sigurimi që zëri i Kosovës të dëgjohet qartë dhe fuqishëm.
Nëse përvoja ime mbi dy-dekadëshe në Washington, DC, më ka mësuar dicka—atëherë, ju them me kompetencë se fitoret diplomatike nuk arrihen rastësisht—ato janë rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, partneriteteve strategjike dhe unitetit në qëllime. Le të bashkohemi për të mbrojtur përparimin që kemi arritur me shumë mund e sakrifice deri më tani, dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritur për Kosovën.
Andaj, i bëj apel qeverisë së Kosovës dhe krejt akterëve politikë në vend, që së bashku, të qëndrojmë të fortë kundër agjendës së Serbisë dhe të vazhdojmë ta sforcojmë pozitën e vendit tonë në arenën globale.
E kam thënë shumë herë dhe po e përsëris: për mua shteti dhe kombi janë mbi gjithëcka tjetër. Tash është koha të bëjmë atë që duhet për vendin—të fuqizojmë tutje marrëdhënjet tona me SHBA-të, dhe assesi të mos lejojmë që Serbia të depërtojë në politikën e jashtme amerikane përmes ngritjes së propagandës së saj kundër Kosovës.