Ditë më parë u mbyll edicioni 2020/21 në Superligën e Kosovës në basketboll.
Skuadra suharekase, YLli u shpall kampion për herë të parë në histori të klubit, raporton FrontOnline.
Nga ana tjetër, në Ligën e Femrave triumfoi Penza.
Me këtë rast, i pari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu i është drejtuar me një letër komunitetit të basketbollit kosovar.
Letra e plotë e Fetahut:
“I dashur komunitet i basketbollit,
Para disa ditësh edicioni i garave seniore për vitin 2020-2021 përfundoi me kurorëzimin e Golden Eagle Yllit si kampion i FIVE STAR Superligës, ndërsa ditë më parë KBF Penza nga Peja ishte shpallur kampion i EBC Ligës së Femrave. Garat përfunduan edhe në tri kategori tjera seniore, kurse po presim edhe fundin e garave në kategoritë e reja si dhe në garat shkollore të cilat po i organizojmë për herë të parë sivjet.
Ky stinor, që me hapjen e shtetit pas mbylljes së detyruar nga pandemia filloi me organizimin e Superkupës në një format të veçantë, në katër qytete të Kosovës, të cilën e fituan KBF Bashkimi në konkurrencën e femrave dhe Sigal Prishtina në konkurrencën e meshkujve, vazhdoi me organizimin e kampionatit të rregullt dhe Kupën e Kosovës në shkurt në Suharekë, të cilën e fituan ekipet prishtinase në dy konkurrencat, tani kulmoi me shpalljen e kampionëve të të gjitha konkurrencave. Gara të nxehta dhe të paparashikueshme pati në të gjitha garat, ndërsa nivelin aktual të konkurrencës në ligat elitare të femrave e meshkujve nuk e kemi përjetuar asnjëherë në historinë e basketbollit të pasluftës në Kosovë. Fakti që të dyja ekipet kampione kanë qenë të pozicionuara jo më lartë se në vendin e tretë në tabelat e pjesës së kampionatit të rregullt veç e përforcon edhe më shumë tezën se kampionate kaq të ngushta nuk mbahen mend nga komuniteti jonë.
Bashkë me vëllezërit tanë përtej kufirit me sukses organizuam në Rahovec dhe Durrës edicionin e parë të Ligës Unike, në format të përshtatur për rrethanat aktuale, ndërsa kampion i parë i kësaj gare unike dhe të çmuar për ne u shpall tanimë kampioni i Kosovës Golden Eagle Ylli.
Nuk kam se si të mos i falënderoj ekipet pjesëmarrëse sivjet, të cilat u mobilizuan përtej parashikimeve dhe mundësive të vlerësuara para fillimit të stinorit, por edhe sponsorët e dashamirët e shumtë të sportit tonë të zemrës, që ndihmuan në ngjalljen e drithërimave e emocioneve tek të gjithë shikuesit e tifozët e basketbollit që ishin të detyruar që në numra të paparë po ndiqnin atmosferën e terreneve tona pranë televizioneve dhe online. Tash veç u përmbyll një edicion që do të mbahet mend edhe si i pari i zhvilluar fillim e fund pa tifozë. Luajtëm pa thirrjet e tyre në palestra, pa atmosferën e zjarrtë të cilën pa dëshirën tonë u detyruam ta shuajmë në mars të vitit të kaluar. Ishte ky një vendim i rëndë dhe i dhimbshëm por i duhuri për të ruajtur mirëqenien e komunitetit tonë.
Megjithatë, basketbolli kosovar kurrë nuk ka qenë më i pranishëm në platformat televizive dhe virtuale. Teleshikuesve u ofruam basketboll në dy platformat më të fuqishme në vend – ArtMotion dhe Kujtesa. Me mbi 194 ndeshje të transmetuara gjatë këtij stinori live, basketbolli kosovar edhe këtë vit mbetet sporti larg më i transmetuar kosovar në televizionet tona, ndërsa përmbledhjet e pamjeve nga ndeshjet, raportet, fotografitë dhe intervistat nga ndeshjet i dhanë edhe më shumë shije pranisë sonë mediatike. Edhe pse jemi të pranishëm në shumicën dërmuese të shtëpive kosovare, ne kemi punuar edhe në reformimin e pranisë sonë online dhe kemi përshpejtuar postimin e videomaterialeve për të gjithë ata që nuk arrijnë të na ndjekin live.
Për ne në federatë, puna tek po fillon, me 7 kombëtare të cilat duhet të përgatiten për garat e kësaj vere dhe organizimi i kampionatit evropian në Prishtinë, kampet grumbulluese e zhvillimore që do t’i organizojmë, finalizimin e infrastrukturës video-incizuese dhe transmetuese që do të na mundësojë transmetimin e garave të të rinjve nga stinori i ardhshëm, përfundimin e kushteve të licencimit për klube dhe krijimin e superligave profesionale, organizimi i Ligës Unike, janë disa prej angazhimeve urgjente të cilat na presin ditëve në vijim, por më shumë për këto dhe befasitë që do presin stinorin tjetër do t’ju njoftojmë diku gjatë muajit qershor.
Sot, kjo letër i kushtohet të gjithë atyre që e bënë të mundshëm përmbylljen e suksesshme, nën drejtimin korrekt dhe shumë profesional të zyrtarëve, referëve dhe delegatëve të FBK-së, të këtij stinori të pazakontë por të veçantë në shumë kuptime.
Para së gjithash, më lejoni të falënderoj të gjithë lojtarët, trajnerët, stafin mjekësor, udhëheqësit dhe kryesitë e klubeve pjesëmarrëse sivjet për punën e palodhshme, sakrificën e paparë gjatë këtij stinori të pazakontë, shpesh pa kurrfarë kompensimi, me palestra të zbrazura dhe shumë kufizime e të panjohura.
Por e tëra kjo nuk do të ishte e mundshme pa ndihmën tejet bujare nga sponsorët tanë, jo vetëm për përkrahjen e basketbollit kosovar në momentet më të vështira por edhe për kontributin kombëtar që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin duke ndarë nga xhepi i tyre për të mirën e përgjithshme, avancimin e sportit dhe largimin e rinisë nga dukuritë negative. Falë kontributit të tyre basketbolli u ngrit në të gjitha qendrat e Kosovës sivjet, kështu që na mbetet të shpresojmë që sponsorët e klubeve tona të jenë pjesë e planeve afatgjata të klubeve tona, ashtu siç janë sponsorët e federatës partnerë tanë në rrugën drejt ngritjes së basketbollit në majat që i meriton. Siç u vërtetua javën e kaluar, kontributi dhe angazhimi afatgjatë pranë një klubi të menaxhuar mirë, patjetër sjell rezultatet e duhura.
Falënderim i veçantë shkon për partnerët tanë mediatik dhe të gjitha mediat e Kosovës që kanë raportuar dhe kanë përçuar emocionet e palestrave tek teleshikuesit dhe publiku. Pa ju, gara sivjet nuk do të kishte kuptim!
Krejt në fund, dua të falënderoj edhe tifozët, ndjekësit, shikuesit dhe dashamirët e basketbollit anembanë Kosovës, të cilët na ndjekin çdo ditë dhe të cilët vazhdojnë të na qëndrojnë pranë dhe të brohorasin për klubet e zemrës para aparateve televizive. Me shpresë, ditë më të mira për kthimin tonë në palestra do të vijnë nga stinori i ardhshëm.
Në emër të Federatës së Basketbollit të Kosovës, I Juaji,
Arben Fetahu
Kryetar”./FrontOnline/