Timothy Less e kishte parashikuar kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ish-diplomati britanik sheh dhe pret edhe më shumë përkeqësim të situatës së Kosovës, e cila, siç thekson ai, varet nga mbështetja e Perëndimit për t’i arritur qëllimet thelbësore politike.
Qeveria e Kosovës ka dështuar t’i bindë SHBA-në dhe BE-në që ta pranojnë idenë e integrimit me forcë të veriut dhe pranimin e vendit në institucionet ndërkombëtare, pavarësisht marrëdhënieve me Serbinë, thotë ai.
BE-ja, e cila sipas tij ka dëshmuar paaftësinë për të ndërmjetësuar një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do t’ia kalojë SHBA-së udhëheqjen e dialogut. Washingtoni, me Richard Grenell si të dërguar për misionet speciale, është gati ta marrë përgjegjësinë edhe një herë, thotë Less në një intervistë për Gazetën Express.
Ai pret se administrata Trump do ta braktisë marrëveshjen e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të finalizuar në Ohër. Asociacioni do të mbetet në tavolinë, thotë Less, dhe do të shndërrohet në opsionin më të mirë për Kosovën.
Intervista e plotë
Kishit parashikuar që Kosova në fund të vitit 2024 do të ishte në një gjendje më të keqe sesa në fillim. A është vërtetë ashtu?
Timothy Less: Mendoj se situata e Kosovës është pak më e keqe se sa ishte në fund të vitit 2023, por jo aq e keqe sa mendoja se do të ishte një vit më parë. Pozita kryesore nga perspektiva e Kosovës është se ajo ka shmangur bërjen e ndonjë lëshimi të madh për statusin e saj, duke shmangur më qartë krijimin e një Asociacioni të Komunave Serbe. Qeveria ka mbajtur gjithashtu politikën e saj për të ushtruar presion ndaj serbëve që jetojnë në veri të cilët po vazhdojnë të largohen. Të dyja zhvillimet paraqesin sukses për Kosovën.
Nga ana negative, megjithatë, Kosova i ka bezdisur partnerët kryesorë ndërkombëtarë si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja, nga të cilat kjo e fundit ka mbajtur regjimin e sanksioneve ndaj Kosovës dhe SHBA-ja ka zgjedhur një president që është relativisht dashamirës ndaj Serbisë. Kjo padyshim e përkeqëson situatën për Kosovën, e cila varet nga mbështetja e Perëndimit për t’i arritur qëllimet e saj thelbësore politike.
Ku dështoi dhe çfarë mund të bënte më mirë Qeveria e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar?
Timothy Less: Dështimi kryesor i qeverisë është ta bindë SHBA-në dhe BE-në që ta pranojnë idenë e saj se veriu i Kosovës duhet të integrohet me forcë në pjesën tjetër të Kosovës pa ndonjë status të veçantë dhe se Kosova duhet të pranohet në institucionet ndërkombëtare pa njohje nga Serbia. Kjo vjen përkundër vazhdimit të fushatës lobuese ndërkombëtare të Kosovës që synonte ta përshkruante Serbinë si një kliente të Rusisë, një ‘mini Rusi’, e kështu me radhë.
Përkundrazi, siç them unë, ashpërsia e përceptuar e Kosovës në veri të Kosovës dhe mospërputhja e saj në raport me dialogun e udhëhequr nga BE-ja i ka kushtuar vullnetin e mirë mes partnerëve më parë dashamirës të cilët gjithnjë e më shumë e shohin Kosovën si anën më obstruktive. Për të bërë më mirë, Kosova duhet ta ndjekë shembullin e Serbisë, e cila ka arritur t’i bindë partnerët ndërkombëtarë se është partneri më konstruktiv, edhe pse politika e saj reale është ta bllokojë politikën perëndimore në formën e marrëveshjes së Ohrit.
Marrëveshja e normalizimit me Serbinë mbeti e pazbatuar dhe gjërat madje shkuan në drejtim të kundër. Çfarë prisni se do të sjell dialogu në vitin 2025?
Timothy Less: Gjëja e parë që duhet thënë është se, nëse ngjarjet ndjekin precedentin e vitit 2017, udhëheqja e dialogut do të kalojë nga BE-ja, e cila e ka dëshmuar edhe një herë paaftësinë e saj për ta ndërmjetësuar një zgjidhje, te SHBA-ja, e cila është e vetmja fuqi e jashtme që Serbia dhe Kosova e marrin seriozisht. Emërimi i Richard Grenell nga Donald Trump si i dërguar për misionet speciale është një sinjal i fortë se SHBA-ja është gati ta marrë përgjegjësinë edhe një herë.
Gjëja e dytë që duhet thënë është se administrata Trump do ta braktisë marrëveshjen e Ohrit, e cila është një letër e vdekur – tepër strikte, jo tërheqëse për të dyja palët dhe të cilës i mungojnë mjetet e zbatimit. Në vend të kësaj, SHBA-ja do ta miratojë një qasje të re e cila fokusohet në çështjen qendrore se çfarë i nevojitet Serbisë nga Kosova në këmbim të njohjes. Të gjitha gjërat për dokumentet, simbolet kombëtare, pronën e Kishës Ortodokse Serbe e kështu me radhë, do të trajtohen si dytësore.
Dhe gjëja e tretë është se të gjithë do të mbështeten nga presioni ndaj Serbisë për ta pranuar idenë e njohjes dhe presioni ndaj Prishtinës për t’i dhënë Serbisë diçka si kompensim që i lejon qeverisë në Beograd t’ia shesë pavarësinë e Kosovës një publiku skeptik, krahas shpërblimeve të ndryshme ekonomike për Kosovën për këtë.
Në një intervistë që e patëm zhvilluar para një viti, kishit parashikuar kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë me idenë e ripërcaktimit të kufijve Kosovë-Serbi. A jeni ende në të njëjtin mendim për idenë e tij të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve këtu dhe a besoni se për dallim nga hera e parë, mund ta ketë mbështetjen e europianëve për këtë ide?
Timothy Less: Unë i qëndroj këtij parashikimi për arsyen e thjeshtë se ky është përfundimi i Serbisë për njohjen e Kosovës, i cili është në përputhje me vlerat dhe besimet e saj themelore, me faktet në terren siç janë aktualisht dhe me balancën bazë të fuqisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kruacialisht, administrata Trump nuk do ta kundërshtojë ndarjen në parim siç ka bërë administrata Biden, nga frika e destabilizimit të Bosnjës.
Sa i përket europianëve, mendoj se një numër kritik i qeverive do ta mbështesin ose të paktën do ta pranojnë ndarjen, ndryshe nga viti 2018, kur e sabotuan marrëveshjen midis Vuçiqit dhe Thaçit. Në këtë aspekt, shteti më i rëndësishëm do të jetë Gjermania ku qeveria aktuale e majtë liberale është rrëzuar dhe do të zëvendësohet nga një koalicion konservator i kryesuar nga kristiandemokratët, ndoshta i mbështetur në parlament nga Alternativa për Gjermaninë. Në vendet tjera në Europë, një brez i ri i qeverive nacional-konservatore do ta lejojë Trumpin ta bëjë punën e pistë të rivizatimit të kufijve, nëse kjo është ajo që nevojitet.
E veçuar ndoshta do të jetë MB, ku një qeveri e krahut të majtë do ta mbajë kundërshtimin e saj ndaj ndarjes. Megjithatë, Londra nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë këtë nëse administrata Trump dhe qeveritë europiane bien dakord të gjitha me këtë, dhe interesat e Mbretërisë së Bashkuar do të qëndrojnë në pranimin e realitetit të asaj që po ndodh dhe të qëndrojë e rëndësishme duke ndihmuar në formimin e një marrëveshjeje për ndarjen, në vend se të përpiqet me turp për ta bllokuar atë.
Po me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, çfarë mendoni se do të bëhet?
Timothy Less: Mendoj se ideja e një Asociacioni të Komunave Serbe do të mbetet në tavolinë, por do të kalojë nga opsioni më i keq për Kosovën në opsionin më të mirë, duke pasur parasysh se alternativa e autonomisë për veriun e Kosovës do të jetë përthithja e saj nga Serbia. Unë pres që politika lokale të ndryshojë në përputhje me rrethanat: Prishtina do të ngrohet ndaj idesë së autonomisë për veriun e Kosovës, ndërsa Beogradi do të jetë më i ftohtë.
Duke pasur parasysh zgjedhjet që zhvillohen më 9 shkurt, a është e vështirë të parashikoni sërish se ku do të jetë Kosova në fund të vitit 2025?
Timothy Less: Historia e shfaqjes së Kosovës si shtet është shumë e ngadaltë dhe nuk mendoj se gjërat materialisht do të ndryshojnë shumë në fund të vitit 2025 nga sa janë në fund të vitit 2024, apo 2023 për këtë çështje. Sondazhet sugjerojnë se Vetëvendosje do t’i fitojë fuqishëm zgjedhjet dhe partia nuk do të pajtohet lehtësisht me asnjë lloj marrëveshjeje që përfshin ndarjen e Kosovës. Në vend të kësaj, një qeveri e udhëhequr nga Vetëvendosje do të vazhdojë me politikën e viteve të fundit, duke u përpjekur ta integrojë veriun me forcë dhe duke u përpjekur t’i bindë qeveritë perëndimore që ta pranojnë Kosovën në institucionet ndërkombëtare, pa marrë parasysh kundërshtimet e Serbisë.
Megjithatë, politika do të ndryshojë në mënyra që e favorizojnë Serbinë në kurriz të Kosovës. Do të ketë pak qeveri që i pranojnë taktikat e presionit të Kosovës në veri dhe akoma më pak që e pranojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës apo ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar në mungesë të një marrëveshjeje të negociuar me Serbinë.
Thënë ndryshe, Kosova mund të jetë e suksesshme në rezistimin e presionit për të bërë lëshime si ndarja, por do ta bëjë këtë përballë humbjes së mëtejshme të mbështetjes ndërkombëtare dhe rritjes së presionit ndërkombëtar për të arritur marrëveshje me Serbinë, duke përfshirë potencialisht sanksione të reja, ndalimin e investimeve dhe izolimin e qeverisë, ndërkohë që Serbia ndoshta mund t’i shfrytëzojë rrethanat e reja dhe më të favorshme për të nxitur trazira në veri.