Pal Lekaj nga AAK-ja sa i përket shpenzimeve të investimeve kapitale në vetëm 10%, konsideron se Qeveria Kurti po vazhdon me keqmenaxhimin dhe funksionimin ndaj projekteve dhe investimeve publike në nivel qendror dhe lokal.
Lekaj thotë për Front Online se ministritë nuk kanë idenë se si të menaxhojnë dhe shpenzojnë paranë publike.
“Ky pushtet edhe në vitin e katërt, po vazhdon praktikën e njejtë të menaxhimit dhe funksionimit ndaj projekteve dhe investimeve publike në nivel qendrorë dhe lokal. Edhe në vitin 2024 Ministritë nuk e kanë idenë se si të orientojnë, menaxhojnë dhe shpenzojnë paranë publike. Fat i keq që paraja publike po shkon në deficitë ndërsa qytetarët kanë mungesë të mallrave dhe shërbimeve që shteti duhet tu sigurojë”, tha Lekaj.
Gjashtë Ministri zero shpenzime kapitale/ Qeveria “Kurti” nis keq vitin 2024 me investime
Sipas tij, buxheti nuk po preket ndërkaq në anën tjetër qytetarët nuk po marrin shërbimet e domosdoshme.
“Është shumë paradoksale që buxheti i shtetit të mbetet i pa shpenzuar, ndërsa Qytetarët vazhdojnë të mos marrin shërbimet e duhura mjekësore, shërbimet publike si uji, cilësia e arsimit, kujdesi social, rritjen e pagës minimale për sektorin privat, etj”, thotë ai.
Për Lekajn shqetësuese mbetët që mos shpenzueshmëria në Investime kapitale nga Qeveria Kurti do të vazhdojë ende.
“Mos shpenzueshmëria në Investime kapitale nga Qeveria Kurti do të vazhdojë ende, ndërsa shteti ynë do të vazhdojë të keqmenaxhohet dhe kjo le një shije të hidhur ku qytetarët nuk e shohin Kosovën vend as për të jetuar e lëre më për tu zhvilluar në punë e profesion”, theksoi ai.
Lekaj në fund theksoi se për nga aspekti ekonomik dhe social, Kosova ka nevojë për ndërrim të pushtetit. /FrontOnline/