×
  • Opinione
  • Opinione

    LDK t’i kthehet shtetit si koncept e jo si slogan

    FrontOnline
    19 Shkurt 2021

    Sa herë merrem me LDK-në dhe me Rugovën më kujtohet një tip i lagjes sime. Ishte shumë i varfër. Ishte i papunë. Ne në lagje e angazhonim për çdo nevojë që kishim. Ishte kohë vjeshte. Kisha blerë drutë për dimër dhe duhej çarë. Shkova dhe e thirra. U gëzua shumë. Para se të mbaronte punën më tha se duhej ta ndërpriste shkaku që Rugova do të shfaqej në fushatën paraelektorale, në palestrën “Bill Clinton”. Më tha se duhej të shkonte patjetër. Vij nesër, më tha. Nga pesë metra dru, kishin mbetur edhe rreth një metër pa ça. I thashë se më duhej t’i çaja patjetër se më duhej t’ia liroja hapësirën veturës për ta futur në garazh. Mbase edhe dyert e oborrit nuk mund të mbylleshin. I thashë se kishte edhe dy orë kohë deri tek manifestimi. I thashë se edhe unë duhej ta përcillja si gazetar. Tipi më shikoi sikur për të më thënë: Mos e zgjatë! Më tha se duhej të shkonte më herët në shtëpi për t’u pastruar, për t’u rruar dhe për t’i veshur petkat solemne që i kishte nga koha kur kishte punuar në fabrikën për prodhimin e mobileve.

    Pjesën e mbetur të druve e çava vetë dhe me kohë arrita në manifestim. Në pjesën ballore, ku kishte njerëz më shumë, në mes të asaj turme të madhe vërejta tipin me një flamur të Dardanisë, ashtu të gëzuar, mbase të ekzaltuar para prijësit të tij shpirtëror, i cili nga tribuna me të dyja duart kërkonte nga masa që të ndalnin duartrokitjet. Ishte hera e fundit që Rugova po shfaqej në Ferizaj. Ai tipi, tmerrësisht i dëshpëruar, tani ka votuar kundër partisë dhe liderit të tij shpirtëror.

    Bëra këtë parantezë për të pohuar se shumë si ai kanë votuar kundër partisë së tyre, gjë të cilën e dëshmon edhe rezultati zgjedhor. Po tani duhet të diskutohet çështja se si kjo parti erdhi në këtë derexhe. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë se duhet dekonstruktuar të gjitha ato konstruksione me të cilat kjo parti ka provuar të mashtrojë anëtarësinë dhe elektoratin e saj. Edhe përpara kam shkruar sesi kjo parti, nën udhëheqjen e Isa Mustafës, ishte shndërruar në patericë të PDK-së, përkatësisht Hashim Thaçit. Mbase këto zhvillime dihen dhe nuk është rendi të humbasim kohë për to. E rëndësishme është të shihen zhvillimet nga koha e prishjes së koalicionit me LVV, përkatësisht djegien e shpresës së madhe.

    Mendoj ka mjaft si unë që besojnë se prishja e koalicionit kishte si alibi faktin që duhej ruajtur me çdo kusht marrëdhëniet me SHBA, pavarësisht udhëheqjes së saj me në krye Trump-in. Dhe besoj kjo nuk do ta dëmtonte LDK-në sikur kjo gjë të bëhej në emër të shtetit dhe jo të pushtetit. Sikur kjo gjë të bëhej në emër të shtetit, LDK do të kërkonte që qeverinë e re ta bënte bashkë me të gjithë ata që kishin votuar për rrëzimin e qeverinë Kurti, përkatësisht me të gjithë ata të vetëquajtur proamerikan. Kështu do të shpërndahej përgjegjësia tek të gjithë. Madje kështu nuk do të kishte nevojë që LDK-ja ta bënte qeverinë me ndihmën e listës serbe dhe mbase me ndihmën më të madhe të Hashim Thaçit, liderit historik të PDK-së, i cili nëpër terr u end për t’ia siguruar votat. Kjo ishte dëshmia më e mirë se LDK-së kishte kohë nuk i interesonte shteti, por pushteti. Imagjinojeni një situatë të tillë në kohën e presidentit Rugova!? Rugova kurrë nuk do të pranonte të bënte një qeveri me vullnetin e pakicës shqiptare dhe me ndihmën e listës serbe. Kurrë nuk do të lejonte që për votat e tij të vraponte Hashim Thaçi. Rugova kurrë nuk do të lejonte që partia e tij ta mbante peng shtetin dhe institucionet e tij, kështu si bëri LDK pas marrëveshjes së Washingtonit, kur kishte mbetur pa minimumin e votave në kuvend dhe ku do të qëndronte edhe gjatë po të mos ishte Gjykata Kushtetuese. Rugova kurrë nuk do të lejonte që në gjirin e partisë së tij të futej Behxhet Pacolli, mbase në kuptimin e një shpëtimtari për këtë parti. Këto janë disa nga ato zhvillime që duhet të trajtohen patjetër në përpjekjet e këtij subjekti për ndryshim.

    Rasti i zonjave të hekurta, Donika Gërvalla dhe Vjosa Osmani, nuk ka nevojë të diskutohet fare, sepse rezultati dëshmon më së miri dhe mbase i lë pa koment të gjithë. Nuk kanë çka diskutojnë për këtë gjendje as ata që ndodhen në strukturat udhëheqëse të kësaj partie e që asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin kundër këtyre zhvillimeve, aq më pak ata që janë ndarë të dëshpëruar me rezultatin e zgjedhjeve dhe tani duan të shfryhen mbi këtë gjendje.

    Mund të flasin vetëm ata, nëse ka të tillë veç Lumir Abdixhikut, që me kohë i kanë vërejtur këto të këqija dhe për interesa personale nuk janë strehuar nën hijen e Isa Mustafës. Sigurisht që një gjë është e qartë për të gjithë, Isa Mustafa i ka menaxhuar shkëlqyeshëm interesat e grupeve dhe individëve, por ama kështu e ka shkatërruar partinë, prandaj këto grupe të interesit në LDK duhet të identifikohen dhe të pengohen në angazhimet për reformim. Ndryshe do të kemi një ndryshim krejt formal që nuk do ta rimëkëmbë këtë parti, por do ta dërgoj edhe më afër humnerës, e cila ka kohë ka nisur ta thërras.

    Edhe populli thotë se kur thyhet qerrja rrugë gjenden sa të duash, por megjithatë ka rëndësi të gjendet rruga më e duhur, sepse qerrja mund të thyhet sërish. Ndryshe LDK-ja si partia me traditën më të madhe në vend, është aset shumë i rëndësishëm për shtetin, mbase fakti që në përbërjen e saj ka mjaft njerëz që zhvillojnë ide dhe koncepte qytetare e bën këtë parti edhe më të nevojshme për zhvillimet politike në vend. Uroj që kjo parti, e cila vuri themelet e shtetit më të ri të Evropës, ta rinovojë qerren dhe ta gjej udhën më të mirë.

    Nga Rubrika
    Opinione25 Nëntor 2024
    Shkruan: Ben Blushi 116 vjet më parë, në vitin 1908, aty nga ora 12 paradite, e datës 20 nëntor, që binte e...
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Të tjera
    Vip25 Nëntor 2024
    Liam Payne tentoi të arratisej nga hoteli i tij duke përdorur ballkonin. Stafi i hotelit e dinte që ai po planifikonte ta...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar nga veriu i vendit se është vendosur gurthemeli i një nënstacioni policor të ri në...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Ministria e Bujqësisë ka dhënë miliona euro grante dhe subvencione. Puna me të cilën ministri Faton Peci mburrej më së shumti u...
    Vip25 Nëntor 2024
    Gjesti është akuzuar nga disa prej banorëve për fshehjen e rrobave. Anisa po insistonte të dinte nga Gjesti nëse ia kishte fshehur...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Komuna e Podujevës ka ndriçuar zyrat e saj me ngjyrë portokalli në hapjen e fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me...
    Vip25 Nëntor 2024
    Lela ka biseduar me Vullnetin dhe Arionin mbi situatën me Gjestin. Ajo thotë se është ndjerë e provokuar, dhe aspak s’është ndjerë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.