Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Moska do të ndërmarrë veprime ndëshkuese kundër zyrtarëve gjermanë dhe francezë, në shenjë hakmarrjeje për sanksionimin e disa zyrtarëve rusë.
Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë ngrirë asetet dhe u kanë vënë ndalesa udhëtimi gjashtë zyrtarëve rusë, që besohet se janë përgjegjës për “tentim-vrasjen” e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.
Navalny është sëmurë në një fluturim nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe ka kaluar gati tri javë në gjendje kome.
Dy ditë më vonë, ai është transferuar në spitalin Charite të Berlinit, ku mjekët kanë gjetur gjurmë të agjentit nervor Noviçok në trupin e tij.
Gjetjet e tyre janë konfirmuar në mënyrë të pavarur edhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.
Lavrov po ashtu sugjeroi se Navalny mund të jetë helmuar me agjent nervor ose në klinikën Charite në Berlin, ose në bordin e avionit që e ka transportuar në Berlin.
Navalny, i cili vazhdon të qëndrojë në Gjermani, e ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin, për urdhërimin e sulmit me helm, ndërsa Kremlini ka mohuar çdo përfshirje.