Ndryshimet në Telekomin e Kosovës kanë prekur edhe këngëtarin nga Prishtina, i cili punonte në ndërmarrjen publike.
Rok-artisti, Art Abazi nuk është më pjesë e Telekomit.
Abazi tha të enjten se e ka ndërprerë marrëdhënien e punës me ndërmarrjen në të cilën punonte tash e 12 vjet.
Ai në këtë kompani ushtronte funksionin e udhëheqësit kreativ.
“Mes shumë emocioneve të përziera, sot i thash lamtumirë vendit, tek i cili “u rrita”, e mësova shumëçka… Në rolin e udhëheqësit kreativ mendoj se disa nga punët që unë i kam realizuar ndër vite, kanë bërë që unë sot të largohem krenar e i përmbushur nga ajo ndërtesë, për të cilën, dorën n’zemër, ka me m’marrë malli fort”, ka shkruar këngëtari.
Tutje, ai ka uruar më të mirat për kompaninë Telekomi që të rikthehet përsëri gjendja e mirë financiare, pasi aktualisht po përballet me probleme të shumta, shkruan Paparaci.
“Me urimin që kjo kompani do ta rikthej sa më shpejtë namin e dikurshëm dhe besimin e secilit prej nesh, që sot fatkeqsisht i mungon, dua ti përshëndes të gjith’ kolegët, me të cilët kemi ndarë shumë e shumë kujtime, së bashku… Ju përqafoj nga larg, Arti”, ka shkruar ndër të tjerash ai.
Ndryshe nuk dihet nëse këngëtari ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, apo është shkarkuar nga menaxhmenti.
Menaxhmeni i PTK-së u ka ofruar një lloj marrëveshje për pensionim të parakohshëm ose largim vullnetar nga puna.
Mjetet financiare për punëtorët që do ta pranojnë njërën nga ofertat pritet të mbulohen nga Qeveria e Kosovës. Deri në fund të prillit të këtij viti, afro 350 punëtorë të Telekomit të Kosovës kanë pranuar deri tani ofertën e Qeverisë për pensionim të parakohshëm ose largim vullnetar nga puna.