Ministri federal gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, kryetari i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Rik Daems, bashkuan zërat e tyre me atë të Sekretares së Përgjithshme të Këshillit me 47 kombe të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq dhe bëri një deklaratë në lidhje me tërheqjen e njoftuar të Turqisë nga Konventa e Stambollit, transmeton Gazeta Express.
“Turqia ishte shteti i parë anëtar që ratifikoi në vitin 2012 Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të miratuar në Stamboll gjatë Kryesisë Turke të Organizatës 10 vjet më parë. Dhe e bëri atë me një votim unanim në Asamblenë e Madhe Kombëtare. Prandaj, ne indinjohemi thellësisht për vendimin e Presidentit të Turqisë për t’u tërhequr nga kjo Konventë, e mbështetur gjerësisht në vend, pa ndonjë debat parlamentar”, thuhet në reagim.
Tutue, thuhet se largimi i Turqisë nga kjo Konventë i privon gratë në atë shtet nga një mjet kryesor për ta luftuar dhunën.
“Ne kujtojmë se qëllimi i Konventës është parandalimi i dhunës ndaj grave, mbrojtja e viktimave dhe ndjekja penale e autorëve të krimit. Ajo mbron të drejtën themelore njerëzore të grave për një jetë të lirë nga dhuna. Lënia e Konventës do të privonte Turqinë dhe gratë turke nga një mjet jetësor për të luftuar dhunën. Prandaj, ne u bëjmë thirrje autoriteteve turke të mos dobësojnë sistemin ndërkombëtar për të mbrojtur gratë nga dhuna e vendosur nga Konventa e Stambollit”, thuhet në reagimin e përbashkët.
Për këtë veprim, Turqisë i reaguan edhe veç e veç Gjermania dhe Franca.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, me shumicë votash miratuan një amandament në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në bazë të të cilit Konventa e Stambollit do të përfshihet në Kushtetutë.
Kjo konventë njihet në botë si instrument ligjor për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës familjare, si dhe për mbrojtjen e viktimave. Ndjekja penale e dhunuesve cilësohet si bazament i konventës.