Los Angeles Lakers ka lënë pas krahëve krizën e rezultateve, pasi ka triumfuar me rezultatin 98-110 në transfertën ndaj New Orleans Pelicans, duke regjistruar kështu suksesin e pestë radhazi, që çon edhe më pranë një vendi direkt në Play Off.
Kampionët në fuqi të NBA-it e nisën vrullshëm ndeshjen dhe morën një avantazh prej 8 pikësh që në fraksionin e parë, ndërsa më pas fituan bindshëm edhe pjesën e tretë, duke ruajtur epërsinë e nevojshme për të triumfuar në të gjithë takimin.
LeBron James ishte protagonist absolut për kalifornianët, pasi ia doli të shënojë 25 pikë, të rikuperojë një top dhe të japë 6 asiste, ndërsa Anthony Davies mbeti disi në hije, pasi nuk shkoi dot përtej 14 pikëve të shënuara.
Blindon pozitat në krye të renditjes në Konferencën e Perëndimit Utah Jazz, që ia doli të triumfojë me rezultatin 99-121 në transfertën ndaj Sacramento Kings. Utah dominoi takimin në tre tre nga katër fraksionet e lojës dhe siguroi një epërsi të konsiderueshme, çka i dha mundësinë të lëshonte disi në pjesën e fundit.
Clarkson ishte protagonist absolut në suksesin e Jazz me 33 pikë të shënuara, dy rikuperime dhe 3 asiste, ndërsa Sacramento pësoi humbjen e tretë radhazi dhe nuk tashmë ka humbur shpresat për të synuar një vend në Play Off.
Në Konferencën e Lindjes vijon të kryesojë me meritë Philadelphia 76ers, që mori një tjetër fitore, këtë herë me rezultatin 128-117 përballë Orlando Magic. Të udhëhequr nga 20-vjeçari Tyrese Maxey, i cili shënoi 30 pikë, rikuperoi 7 topa dhe dha 6 asiste, vendasit dominuan në tre nga katër fraksionet e lojës.
Nga ana tjetër Orlando bëri mirë vetëm në pjesën e dytë, por pavarësisht formës spektakolare të Cole Anthony, i cili shënoi 37 pikë, rikuperoi 8 topa dhe dha 2 asiste, sërish nuk ia doli të shmangë humbjen.
Në sfidat e tjera Brooklyn Nets triumfoi me rezultatin 123-109 ndaj Cleveland Cavaliers, falë një forme mjaft të mirë edhe të Kevin Durant, ndërsa Portland Trail Blazers fitoi me rezultatin 132-116 në sfidën ndaj Denver Nuggets.