Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit të djeshëm me përfaqësuesin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me atë të Serbisë Petar Petkoviq ka treguar për temat që kanë diskutuar.
Lajcak përmes një postimi në X është tha se është i lumtur për dakordimin për komisionin e përbashkët për të zhdukurit, derisa ka përmendur se normalizimi i raporteve do të thotë integrim në BE dhe se nuk ka shkëputje mes të dyjave.
Emisari Lajçak shtoi se janë disa hapa që duhet të bëhen për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit, sipas konkluzave të Këshillit Evropian të vitit 2024.
Aty përmendet depërshkallëzimi, përgjegjësia për sulmet e vitit 2023, por edhe themelimi i Asociacionit.
“Hapat e diskutuar të përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të vitit 2024 për zbatimin e Ohrit: de-përshkallëzimi, përgjegjësi për sulmet e vitit 2023, riintegrimi i serbëve të Kosovës, Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”, ka shkruar ai.
Në takimin trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, gjatë së martës palët janë dakorduar për zbatim të marrëveshjes për të zhdukurit.
Këtë e ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi. Pas përfundimit të takimit, ai ka thënë se Serbia ka pranuar të tërhiqet nga tendenca për intervenim në tekst dhe futjen e paragrafit ku kërkohet fuqizimi i rolit dhe prezencës së UNMIK-ut.
Për këtë ka shkruar edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Pas tre vjetësh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur”, u tha në njoftim.